Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se secili nga politikanët e opozitës që ndodhet sot në protestë përfaqëson familjet shqiptare dhe shqiptarët që iu dhimbsen fëmijët, shtëpia dhe vendi.
Ajo deklaroi se do jenë para parlamentit sa herë të mblidhen shushunjat.
“Ata përfaqësojnë, mostrat e krimit të organizuar, shërbëtorët e trafikut të drogës, deri te argatët e tradhtarëve, të antishqiptarëve që ndodhen aty në Parlament. Ata sot më shumë se kurrë kanë frikë. Ata mendojnë se ne do lodhemi, por nuk kanë bërë një llogari. Sot këtu asnjeri nga ne, nuk përfaqëson parti politike. Sot secili nga ne përfaqëson një familje shqiptare, dy prindër, atë shqiptar që i dhimbset fëmija, shtëpia dhe vendi i tij. Sot ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë sa herë shushunjat të mblidhen në seanca ne do të jemi këtu. Nuk do të lodhemi asnjëherë”, deklaroi Kryemadhi.
Sipas saj, kryeministri Edi Rama ka dështuar dhe e akuzoi se ka helmuar qytetarët.
“Sot dua t’iu them diçka. Rama ka dështuar. Dështoi me politikat e tij. Rama dështoi me vendet e reja të punës, kur i degdisi shqiptarët si emigrantë rrugëve të Europës. Dështoi me taksat e larta. Rama dështoi me Policinë. Dhe turp më të madh nuk ka kur policia pranon vetë që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët e saj. Kurrë nuk ka bërë vaki ajo që ka ndodhur në protesta e opozitës. Të helmosh motrat dhe vëllezërit e tu ka dy arsye: një ose je kriminel dhe vrasës, tjetra ose je i çmendur dhe ke hakmarrje për të tjerët. Ky njeri i ka të dyja. Ky njeri ka një problem shumë të madh, nuk e do vendin e tij dhe i urren qytetarët e tij. Ne nuk e urrejmë Edi Ramën. Në na dhimbset Edi Rama. Na dhimbset ai dhe familjarët e tij, të cilët i kanë ngelur në dorë”, tha Kryemadhi.