Deputeti Myslim Murrizi është shprehur se opozita është në të drejtën e saj kushtetuese të bëjë protestë kur të dojë dhe ku të dojë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Murrizi teksa foli për datën 6 dhjetor theksoi se në çdo samit që është zhvilluar në botë ka pasur protesta.
“Unë kam qenë i qartë se edhe Meta do të jetë në protestë. E para nuk është protestë por tubim. Opozita është në të drejtën e saj kushtetuese që të dalë për çfarë ajo mendon dhe për çfarë t’i dojë qejfi në protestë.
Ai që është në qeveri nuk do protestë dhe në Kushtetutë nuk sanksionohet se kush i cakton datat. Ne kishim dalë në vend të 7 për drogë, ata e dinë se çfarë bëhet në Shqipëri. Më gjeni një Samit në botë që nuk ka pasur një protestë, qoftë dhe simbolike”- theksoi deputeti.
Më tej Murrizi tha se për aq kohë sa kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka firmosur që do të hyjë në zgjedhjet lokale me Sali Berishën nuk mund të shkëputet në asnjë nga protestat që zhvillon ai.
“Për mua Meta nuk është vonuar që t’i bashkohet kësaj proteste. Sa kohë që Meta ka firmosur që do të hyjë në zgjedhjet lokale me Berishën, nuk mund të shkëputet nga asnjë protestë e PD. Ditën që nuk do u bashkohet një proteste të PD-së, unë besoj që nuk do të jenë bashkë në zgjedhje”- tha Murrizi.