Protesta në Paris kundër reformave të Macronit në pensione

0
3

Juristë, mjekë e pilotë protestuan në Paris kundër planit të Qeverisë së Francës për reforma në pensione.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron sapo ka nisur një nga reformat më ambicioze të saj: bashkimin e 42 sistemeve të ndryshme të pensioneve në Francë në një sistem të vetëm, të bazuar në pikë.

Macron këmbëngul se kjo mënyrë do të jetë më e drejtë, por disa profesione thuhet se do të humbasin.

“Të gjitha profesionet këtu i kanë trajtuar mirë fondet e tyre”, tha për agjencinë Reuters piloti i kompanisë Air France, Thierry Oriol, i cili ishte një nga disa qindra protestues që marshuan nëpër qendër të Parisit.

Në fund të javës së kaluar, punëtorët e transportit publik në Paris kanë qenë po ashtu në grevë për shkak të reformave në pensione.

Sipas këtyre reformave, ata që dalin në pension para moshës 64 vjeç po ashtu do të marrin pension më të ulët.

Qeveria e Francës do që parlamenti të votojë për to në fillim të vitit të ardhshëm.

Macron është dobësuar politikisht nga protestat antiqeveritare të lëvizjes “Jelekët e verdhë” qysh në fund të vitit 2018 dhe në fillim të këtij viti.