Presidenti i Bolivisë, Evo Morales ka dhënë dorëheqjen të dielën pas gati 14 vitesh në pushtet. Dorëheqja e Morales vjen pas trazirave që ndodhën me rizgjedhjen e tij, muajin e shkuar.
Morales dhe zëvëndësuesi i tij, Álvaro García Linera, i cili ka dhënë gjithashtu dorëheqjen, deklaruan se po tërhiqeshin me qëllim që t’i jepnin fund gjakderdhjes që ka ‘pushtuar’ vendin në javët e fundit.
Gjatë deklaratës të së dielës, ai u bëri thirrje protestuesve që të mos sulmonin më motrat dhe vëllezërit e tyre si dhe të ndalnin së djeguri vendin. Gjithsesi, Morales dhe García Linera nuk pranuan asnjë faj dhe vazhduan të këmbëngulnin se ishin thjesht viktima të një grushti shteti.
Presidenti erdhi në pushtet më shumë se një dekadë më parë si pjesë e një vale të majtësh që u përhapën në Amerikën Latine.