Qeveria ruse ka deklaruar se shumë shpejt do të shpallë se kush do të përjashtohet nga mobilizimi i saj i pjesshëm.
Duke folur me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se qeveria do të vendosë së shpejti se cilët qytetarë do të lejohen që të mos mobilizohen.
Më herët, ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se vetëm ushtarët me përvojë do të thirren, megjithëse nuk është e qartë se çfarë do të thotë dhe kujt i referohet. Ai shtoi se studentët do të përjashtohen.
Peskov u pyet gjithashtu nëse Rusia do të mbyllte kufijtë e saj për të parandaluar largimin e atyre që s’duan të bëhen pjesë e thirrjes.
“Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje… për këtë ka dispozita në ligjet aktuale”, tha ai.
Ndërkohë Prokuroria e Moskës ka thënë se pjesëmarrja në protesta dhe “ngjarje masive” të paligjshme është një vepër e dënueshme që mund të rezultojë me “burgim deri në 15 vjet”.
Mesazhi në Telegram ishte si një paralajmërim i dukshëm për njerëzit që duan të dalin në rrugë këtë mbrëmje për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të tërhequr rezervistë për të luftuar në Ukrainë.
Ndërkohë, kanale të ndryshme në Telegram po raportojnë se protestat kundër mobilizimit po fillojnë në Lindjen e Largët të Rusisë. Dhjetë persona mendohet se janë arrestuar në Irkutsk.
Rusia ka shtypur protestat e muajve të fundit.