Banorët e një pallati në lagjen Kushtrimi të qytetit të Vlorës janë ngritur në protestë ditën e sotme kundër vendosjes së antenave telefonike.
Banorët kërkojnë të ndërpriten punimet e nisura për vendosjen e antenave telefonike në tarracën e pallatit ku jetojnë, pasi janë të rrezikshme. Ata mohojnë që të jetë miratimi i komunitetit aty dhe i bëjnë thirrje policisë të ndalojë punimet, pasi në të kundërt do të ndërmarrin veprime ekstreme.
“Janë duke montuar një antenë celulare që është vrastare, kanceroze edhe e rrezikshme 10 km larg, jo mbi kokat tona. Që të bëhet një veprim i tillë duhet të merret mendimi i komunitetit. Asnjëri nuk është pyetur nga banorët. Kanë ardhur kanë bllokuar dhe portën dhe po punojnë forcërisht, i kërkojmë ndihmë shtetit të na ndihmojë most ë kalojmë në ekstreme. Jemi shumë të shqetësuar është një problem shumë i madh”, tha një qytetar.
Një tjetër banor u shpreh se pallati është në pronësi të tyre dhe kompania duhet të marrë leje prej tyre dhe nuk mund të veprojë kurrësesi në mënyrë arbitrare.
“Pallati është shitur, deri në tarracë pallati është i joni. E kemi blerë ne. S’ka të drejtë pa lejon tonë të vendos asnjë tullë. Ata as na pyetën, as na bën vajtën e montuan pa lejen tonë”, u shpreh një qytetar.