Shumë prindër kanë refuzuar të sjellin fëmijët e tyre në shkollë deri në krijimin e kushteve.
Një pjesë e prindërve thonë se temperaturat e ulëta po rrisin sëmundshmërinë dhe praninë e gripit në shkollë.
Nxënës, prindër dhe mësues protestuan në shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo” në Gjirokastër për shkak se mungon ngrohja.
Drejtuesi i ndërmarrjes që merret me mirëmbajtjen e shkollave në bashki, Armand Mamani tha se bëhet fjalë për një defekt në sistemin e kaldajës dhe se situata do të normalizohet së shpejti
Mamani pranoi se kushtet nuk janë optimale për zhvillimin e mësimit në të gjitha shkollat, por tha se nuk mund të kryhen investime të tjera në shkolla për të plotësuar nevojat për vetëm 4-5 ditë të ftohta në vit.
Shkolla “Urani Rumbo” është mes më të rëndësishmeve në qytet me rreth 400 nxënës. Në Gjirokastër, të 14 shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm paraqesin problematika të mbartura ndër vite. Të paktën 5 prej shkollave kërkojnë investime kapitale.
Agjensia e Mirëqenies dhe Kujdesit Social ka bërë disa ndërhyrje restauruese në shkolla vitin e kaluar, por lagështia në klasa dhe problemet me amortizimin e çative nuk mund të mbulohen sipas kësaj agjensie me fonde mirëmbajtjeje.
Prej vitesh Gjirokastra vuan nevojën e ndërtimit të një shkolle të re.
Megjithë reduktimin e numrit të nxënësve në nivel qarku prej largimit të popullsisë qyteti i Gjirokastrës po përballet me një përqëndrim të nxënësve që po lënë shkollat e fshatrave dhe po zhvendosen drej qytetit