Valteri Bottas do të startojë nga vendi i parë në Çmimin e madh të Silverstones duke thyer dominimin 4-vjeçar të Lewis Hamilton.
Piloti britanik vendosi vetëm kohën e dytë më të mirë, ndërsa vendi i tretë i takon pilotit të Ferrarit, Charles Leclerc, i cili u përpoq maksimalisht që të “çante” dopietën e Mercedesit në start, por në raundin e tretë kualifikues nuk arriti të marrë më të mirën nga makina e tij.
Kualifikuese tërësisht zhgënjyese për Sebastian Vettel, i cili vendosi vetëm kohën e 6 më të mirë, duke mbetur pas dy makinave Red Bull, Verstappen i katërti dhe Gasly i pesti.
Vlen të theksohet se makinat Ferrari do ta nisin garën me goma të buta, ndryshe nga pilotët e Mercedes që zgjodhën ato mesatare, një tregues ky që “kokëkuqet” do të hyjnë të parat në “pit stop”.