Provokimi i Andrea Stefanit: Heroi im nuk është Ballist Morina, por serbi Vojkan Udoviç

0
1765
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Andrea Stefani ka shkruar një artikull jo pak prokovativ, duke thënë se heroi i tij nuk është Ballist Morina, por studenti serb Vojkan Udoviç.

Sipas Stefanit, Ballisti është një person nacionalist që nuk është shembull për ne, ndërkaq që studenti serb që i do shqiptarët është heroi i tij.

Stefani thekson në shkrim se Serbia dhe Shqipëria, shqiptarët dhe serbët duhet të ndjekin rrugën e pajtimit me njëri-tjetrin siç kanë bërë Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët.

Shkrimi i Andrea Stefanit

Dalldia nacionaliste e turmave që shpërtheu pas kualifikimit të përfaqësueses së Shqipërisë për në finalet e kampionatit europian, tregon se ca shqiptarëve akrepat e orës u kanë mbetur shumë prapa në kohë, atëherë kur çështja e kombëtare ishte parësore dhe përparimtare në Europë dhe më gjerë. Por sot gjërat kanë ndryshuar thuajse rrënjësisht. Nacionalizmi etnik që shpallej revolucionar dhe i dobishëm është sot i prapambetur dhe i rrezikshëm. Në Europë sot parësore nuk është çështja kombëtare por përkundrazi, tejkalimi i trazimeve dhe narcizmit kombëtar, për një integrim mbikombëtar (supranacional). Kjo është sot ambicia, strategjia europiane. Në qendër të kësaj ambicieje është forcimi i shtetit të qytetarëve të lirë dhe, si i tillë, edhe si shoqëri e hapur e aftë të integrohet edhe me shtetin tjetër fqinj, nëse edhe ai është një shoqëri qytetarësh të lirë, drejt një bashkësie politike supranacionale.
***
Pra, për idenë e Europës së Bashkuar, parësore nuk është më përforcimi i kështjellës nacionale përballë kullave e bedenave nacionale të shtetit fqinj, duke rigdhendur në ballin e politikave dallimet, urrejtjet dhe dasitë shekullore kombëtare, por fuqizimi i shteteve demokratike dhe liberale që, duke zbuluar përbashkësinë e interesave, përbashkësitë e qenieve humane, bëhen gjithnjë e më bashkëpunues dhe të aftë për integrim mbarë europian mbi bazën e frymës dhe vlerave universale të humanizmit, barazisë, dhe lirisë.
***
Të këmbëngulësh të bësh të kundërtën e kësaj që synon Europa, të kundërtën e projektit të BE dhe integrimit europian, do të thotë të kërkosh të mbetesh apo të kthehesh në kohët e errëta të urrejtjeve dhe konfrontimeve të përgjakshme nacionaliste nga e cilat vetë kombet, veçanërisht në Ballkan, kanë vuajtur shumë. Do të thotë të mos mësosh nga historia por të mbetesh skllav i saj. Do të thotë të mos jesh i denjë për Europën! Do të thotë të divorcohesh nga ideja europiane.
***
Ata studentë serbë që erdhën në Tiranë dhe u deklaruan për paqe e fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve, janë ku e ku më europianë se Ismail Morina që me ngritjen e dronit në stadiumin e Beogradit, nuk bëri gjë tjetër veçse e ushqeu edhe më shumë marrëzinë e turmave nacionaliste që, padyshim, janë prezente akoma në të dy vendet. Por a është e dobishme për një vend, a është e qytetëruar, a është patriotike të udhëhiqet në politikën e vet nga marrëzia e turmave? Morina dhe gjithë turmat nacionaliste në Beograd dhe në Tiranë, shohin prapa duke mbetur skllevër të së kaluarës, të së vdekurës, viktima të asaj sëmundjeje të tmerrshme që e ka emrin nacionalizëm! Ata, në thelb, janë pacientë dhe jo heronj. Kanë nevojë të kurohen nga virusi i etnonacionalizmit dhe jo të brohoriten. Aq më pak të pasohen.
***
Është shumë më europian studenti serb, Vojkan Udoviçiç, që pas vizitës në Tiranë, duke u ngritur mbi mllefin këmbëngulës të disa mediave në atdheun e tij për të ngjallur paragjykime dhe antipati për shqiptarët, duke u ngritur mbi nacionalizmin dhe armiqësitë e kalçifikuara ndër shekuj, deklaroi se, ndryshe nga ç’propagandohet rëndom në Beograd, ai kish parë me sytë e tij se shqiptarët janë njerëz shumë të mirë, të besës, mikpritës dhe tolerantë “të ngrohtë si klima e Shqipërisë”. Një mesazh fisnik që kërkon të vadisë atë që është natyrore, miqësinë mes kombeve.
**
Sepse serbët dhe shqiptarët nuk janë natyrshëm armiq. Armiqësia e tyre është artificiale, e prodhuar gjatë historisë nga orekset e shteteve. Por nuk është në genin e tyre. Historikisht kanë patur edhe momente miqësie dhe aleancash kundër të njëjtit rrezik. Në “Tri këngë zie për Kosovën” të Ismail Kadaresë, rapsodi serb Vladan i drejtohet rapsodit shqiptar Gjorg me apelacionin vëlla! Por armiqësia nuk shuhej kollaj. Qe si ajo “veshja e vjetër që i përshtatej mirë gjithçkaje”. Thuajse një zakon që zbatohet fatalisht, pa e menduar. Ndërsa ushtria turke nxinte përballë dhe serbë e shqiptarë ishin në një kamp, rapsodët serbë këndonin si në jerm: O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”, dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: “ngehuni burra, se po ia behin shkjetë”. Një ethe që nuk do ndalej edhe kur rapsodët shqiptarë e serbë, ndërsa arratiseshin nga fushëbeteja e humbur për të gjetur strehë diku në Europë dhe Ballkani kish rënë nën thundrën otomane, vazhdonin rapsodinë e vjetër kundër njeri-tjetrit. Aq sa edhe dikush nga ata që i dëgjonte nuk mund të mos thoshte me përçmim: “Përçarje ka kudo, por si përçarja juaj nuk gjendet mbi dhe”! Mjerë ju! – shtonte dikush tjetër.
***
Një përçarje rapsodike që edhe sot e kësaj dite, kur serbë e shqiptarë përsëri trokasin në dyert e Europës, këmbëngul të jetë edhe më e pakurueshme se ajo mes francezëve dhe gjermanëve apo britanikëve dhe francezëve. Një përçarje që e urrej! Prandaj do të zgjidhja për hero serbin, Ujkan Vudiçiç dhe jo bashkatdhetarin Ismail Morina! Nuk dua t’ja di se është serb! Sepse nuk mund ta frenoj dot admirimin tim për këdo (pavarësisht kombësisë e, aq më pak, fesë që ka ai) që investohet në favor të paqes dhe jo urrejtjes etnonacionaliste që është rrënja e prapambetjes dhe tragjizmit ballkanik.
***
Shqiptarët duhet t’i qëndrojnë besnikë atij që, kur ra komunizmi, e shpallën si ideal të tyrin: Shqipërinë si gjithë Europa! Europa duhet të jetë Ylli Polar që duhet t’i orientojë. Por idealet kanë koherencën e tyre. Të aspirosh Europën, integrimin në bashkësinë e shteteve të saj, do të thotë edhe që të braktisësh nacionalizmin, iluzionin narcist të epërsisë mbi kombin tjetër dhe urrejtjen për të si dhe të investohesh për bashkëpunimin dhe fqinjësinë. Të aspirosh për hakmarrje, për larje të hesapeve me kombin fqinj duke e parë atë si armik të përjetshëm, do të thotë të braktisësh Europën. Pra ose me Europën kundër nacionalizmit ose me nacionalizmin kundër Europës! Shqiptarët duhet të zgjedhin. Dhe besoj se shumica e tyre e kanë bërë zgjedhjen në favor të Europës. Ata e dhanë mesazhin e paqes dhe emancipimit kur krejt europianisht, krejt ndryshe nga ç’ndodhi në stadiumin e Beogradit, përcollën ndeshjen Shqipëri-Serbi në Tiranë. Edhe ata janë heronjtë e mi, patriotët e vërtetë, dhe jo Morina dhe as turmat nacionaliste në Beograd apo Tiranë, që replikojnë në distancë me “raketat” sharjeve vulgare, kërcënimeve dhe gjakimeve barbare vdekjendjellëse. /Albeu

Zjarr Tv Ad