Socialistët vijuan farsën presidenciale pa emra dhe pa kandidatura. Ata deklaruan se raundi tjetër i votimit do jetë më 23 maj në orën 18:00.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Ballla, deklaroi se data 30 maj është afati maksimal për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Kryetarëve, Balla u shpreh se nëse Presidenti nuk do të arrijë të zgjidhet në datën 23 maj, atëherë data e fundit, mbetet 30 maji.
Gjithashtu Balla ftoi Partinë Demokratike që të propozojë emra konkretë në lidhje me zgjedhjen e kreun e ri të shtetit dhe të mos e paragjykojë procesin.
Por sërish edhe gjatë kësaj seance ra në sy ‘dashuria’ mes Enkelejt Alibeajt dhe Taulant Ballës.
Balla iu drejtua Alibeajt me fjalët “Nuk të çoj dot sms”, ndërsa e udhëzoi edhe si të sillej me grupin parlamentar.
“Unë do të rekomandoja që të uleshit në grupin tuaj parlamentar dhe të dilni sa më shpejt me emra konkretë. Nuk mund të merremi vesh me letra në këtë proces, që e sjell posta pas 3 ditësh. Unë i kam lexuar kriteret, dhe ju thoni të mos jetë i asnjërës palë, por ama duhet ta propozoni vetëm ju! Tani nuk ta çoj dot me letër unë, ky është një proces, negocimi bëhet në tavolinë, ne nuk kemi fuqi armike. Hajde që të punojmë, unë nuk të shkruaj dot sms dhe as nuk flasim dot me telegrame, kur të doni ulemi që sot”, tha Balla.