Nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Saimir Korreshi, bëri me dije se të hënën PD do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, nismë kjo që refuzohet me forcë nga mazhoranca.
“Mazhoranca nuk e ka pranuar ngritjen e Komisionit hetimor për rastin “Becchetti” sepse ka frikë.”
Kështu u shpreh deputeti Ervin Salianji në një lidhje të drejtpërdrejtë me ora News.
Salianji: Qytetarët shqiptarë do duhet të paguajnë 120 milionë euro për teka personale të Edi Ramës dhe të Erion Veliajt. Në situatën ku janë të kapur edhe me kaq fakte sa janë publikuar tentojnë që të bllokojnë hetimin sepse janë të përfshirë drejtpërdrejt drejtuesit më të lartë, pra është i përfshirë Edi Rama, me prova me fakte, me mashtrime për këtë çështje. Nga ana tjetër Komisionet Hetimore nuk janë as vullneti as tekat e dikujt në Parlament. Nëse kërkohen nga një grup prej 28 deputetësh Komisionet Hetimore jepen në mënyrë të menjëhershme. Nesër do depozitojmë në Kushtetuese për të marrë të drejtën që të krijojmë Komisionin Hetimor.
Më tej, ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese në çdo rast ka dhënë të drejtën për krijimin e Komisioneve Hetimore dhe ka vazhduar hetimi deri në fund.
Salianji: Opozita do vazhdojë që të zbardhet e gjithë çështja, të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi Edi Rama bashkë me bishtat e vet.
Partia Demokratike përveç nismës për “Becchetin” ka kërkuar hetim parlamentar edhe për çështjen e inceneratorëve, edhe kjo e refuzuar nga socialistët.