PS rrëzon kërkesën për komision parlamentar për investimet strategjike, Balla: Ata duan të hetojnë burrin e Olta Xhaçkës apo Gaz Pajën, por…

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, gjate Konferences se Kryetareve per zgjedhjen e presidentit. Me kerkese te kreut te grupit parlamentar te PD, Enkelejd Alibeaj, punimet u nderprene per te rinisur ne date 10 Maj, date e cila do te shenoje nisjen e raundit te pare te votimit.

Konferenca e kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë rrëzoi të mërkurën kërkesën e 7 deputetëve të Partisë Demokratike për të ngritur një komision të posaçëm për kontrollimin e zbatimit të ligjit për investimet strategjike.

Kërkesa parashikonte hetimin e vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike të dhëna deri më tani, duke marrë shkas nga disa raste kur këto vendime kanë favorizuar familjarë të ministrave apo njerëz të afërt me Partinë Socialiste, si dhe problemet me pronësinë e tokës ku do bëhen këto investime.

Sipas deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, mazhoranca nuk e pranoi ngritjen e komisionit pasi “qeveria ka frikë nga ajo që mund të zbulohet nëse bëhet transparencë mbi këto vendime”.

“Përse refuzon mazhoranca? Për të njëjtën arsye që refuzoi zgjatjen e komisionit hetimor të inceneratorëve,” tha Tabaku në një deklaratë për mediat.

Sipas Tabakut, deputetët nismëtarë e kishin konceptuar këtë komision si një instrument kontrolli mbi këto projekte, që sipas saj mbartin shumë pikëpyetje.

“Sot parlamenti i mohon opozitës të bëjë ‘check and balance’ për të informuar publikun dhe për të mbrojtur interesin e tyre,” shtoi Tabaku.

Përfaqësuesit e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve e cilësojnë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike si të pabazuar në ligj dhe rregullore. Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist i tha BIRN se deputetët e PD-së duan të ngrenë komision hetimor vetëm me 7 firma.

“Unë ju kërkova që të ndjekin procedurat që përcaktohen në rregullore,” tha Balla, duke shtuar se dhe emërtimi Komision i posaçëm nuk përkonte me objektin e kërkesës së deputetëve demokratë.

Duke iu referuar vendimeve të KIS për dhënien e statusit të investitorit strategjik familjarëve të ministres Olta Xhaçka dhe aktorit Gazmend Paja, anëtar i PS-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, deputetët demokratë argumentuan në kërkesën e tyre se vendimet e dhëna “ngrejnë dyshime të forta për paligjshmëri, korrupsion dhe klientelizëm”. Por Balla i tha BIRN se komisioni i posaçëm ngrihet për arsye të ndryshme nga kërkesa në fjalë.

“Ata duan të hetojnë burrin e Olta Xhaçkës apo Gaz Pajën, por Komision i Posaçëm bëhet për arsye të tjera, për të bërë një ligj të ri apo një reformë ligjore, siç është ai i reformës zgjedhore,” shtoi ai.

Ligji për “investimet strategjike” është kritikuar për favorizimin e klientelizmit dhe një grushti biznesmenësh dhe investimet e tyre në bregdet. Në një investigim të fundit, BIRN zbuloi gjithashtu se nga 17 projekte të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike gjatë vitit 2021, katër prej tyre ndodhen në zona të mbrojtura ose afër tyre – çka ka shqetësuar ekspertët dhe aktivistët mjedisorë./BIRN

Zjarr Tv Ad