Pse bankat i transportojnë paratë jashtë vendit

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Sistemi bankar funksionon duke mbledhur para nga kursimtarët, kundrejt një përqindje të caktuar interesi. Njëlloj si me tregtinë, këto para, banka duhet t’i investojë me interesa më të larta dhe diferenca i mundëson bankës të mbulojë shpenzimet e veta dhe të nxjerrë një fitim të caktuar. Paratë e depozituesve, në euro ose valutë, bankat, një pjesë e mbajnë si rezervë të detyrueshme, një pjesë e investojnë kryesisht për të dhënë kredi. Duke qenë se bankat kanë qenë të kujdesshme me kredidhënien, huadhënia për ekonominë ka qenë e vakët vitet e fundit.

Tepricën në lekë, bankat e investojnë duke blerë letra me vlerë të qeverisë shqiptare. Ndërsa tepricën në valutë bankat e vendosin në institucione financiare jashtë dhe për këtë arsye u duhet ta transferojnë, ndonëse së fundi bankat kanë preferuar ta mbajnë valutën edhe pranë Bankës së Shqipërisë .

Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Transporti bëhet me Cargo Ajrore, që është shërbim që e ofrojnë kompanitë ajrore e quhet “High Value Cargo Service”. Ky është një shërbim i shtrenjtë, si rrjedhojë transaksioni i këmbimit bëhet me vlera të mëdha që të jetë i leverdishëm dhe për këtë arsye, disa banka bëhen bashkë për të rritur vlerën.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës, në zërin “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, që janë vendosjet jashtë, bankat kishin 237 miliardë lekë, ose gati 1.8 miliardë euro në fund të 2018-s.

Ndryshe nga vitet e kaluar, bankat nuk kanë preferuar t’i vendosin paratë jashtë, pas kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare” shënoi për herë të parë një rënie vjetore me 5%, pas rritjes së vazhdueshme që kishte shuar dekadën e fundit.

Bankat tregtare kanë rritur mbajtjen e likuiditeteve te Banka e Shqipërisë sidomos në valutë, edhe pse interesi i ofruar është negativ. Ekspertët e bankave shpjeguan se shkak për këtë rritje është bërë efekti i masave makroprudenciale që rrjedhin nga një rregullore e Bankës Qendrore që penalizonte bankat për mbajtjen e fondeve të tepërta jashtë vendit, pasi konsiderohen si 100% me risk.

Shqipëria është një vend me nivel të lartë euroizimi, ku 53% e depozitave në fund të 2018-s ishin në valutë.

 

Zjarr Tv Ad