Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe foli për reagimet e tij me zë të lartë lidhur me problematika të ndryshme, sidomos në Bujqësi.
I pyetur se pse këto reagime nuk i bënte edhe kur ishte zv/kryeministër, Braçe tha se reagimet e tij kanë qenë të njëjtat por lirinë e plotë ia pengonte Kodi Etik i Këshillit të Ministrave.
“Heshtja ime? Po për çfarë? Kur je brenda një qeverie, ditën e parë të japin 2 dokumenta, kodin etik të Këshillit të Ministrave dhe Kushtetuën, përveç betimit duhet të respektosh disa rregulla. Dhe kam qenë korrekt si me Kushtetutën dhe Këshillin e Ministrave.
Unë gjithmonë gjërat i kam thënë me zë të lartë, si brenda ashtu dhe jashtë qeverisë. I them tani se kam gjithë lirinë që më parë ma kishte penguar kodi etik i Këshillit të Ministrave. Pysni kolegët e mi për të gjitha këto çështje, edhe kryeministrin për kontestimet e mia, me të dhe të tjerë njerëz,” tha Braçe për Top News.