Publikohet platforma e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni, kushtet e tyre

0
2297
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

“Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët, duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë, të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evuropian, biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:

1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën

• Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.

• Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

• Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

• Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

 

2. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal

• Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

• Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

• Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

3. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik

• Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.

• Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

• Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

4. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit

• Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

• Krijimi i një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.

5. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare

• Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se cështjës së emrit.

• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

6. Marrëdhënie të mira me fqinjët

• Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

• Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

• Hapje e pikave të reja kufitare.

7. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

• Përmbushja e pikave të mësiperme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anetarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Përmbushja e këtyre objektivave, thuhet më tej në kumtesë, do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Zjarr Tv Ad