Kjo për shkak se tre persona humbën jetën në një aksident në Islandë. Mes viktimave ishte dhe një fëmijë. Sipas mediave britanike, mjeti me të cilin udhëtonin ata ra nga një urë 9 metra e lartë. Bashkë me ta ishin 4 persona të tjerë, të cilët u transportuan me helikopter në spital. Ata janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes tyre edhe dy fëmijë të tjerë të moshës 7 dhe 9 vjeç. I pari në vendin e ngjarjes ishte një udhërrëfyes lokal, Adolf Ingi Erlingsson, i cili tha për BBC se Toyota 4×4 ishte shkatërruar plotësisht kur ai shkoi atje.
“Ishte shumë e çuditshme. Shoferi humbi kontrollin dhe ra direkt në tokë. U rrotullua dhe u shkatërrua totalisht”, tha Erlingsson.
Ai tregoi se si disa prej të plagosurve i gjeti jashtë makinës të pavetëdijshëm. Ndërkohë, policia islandeze lajmëroi se rruga u mbyll dhe u hap një hetim për të zbuluar shkaqet e aksidentit, të cilat deri më tani mbeten të paqarta. Zona ku ndodhi tragjedia është një nga destinacionet më të populluara turistike të brigjeve jugore të ishullit të Islandës.