Që të mos dëgjojmë më kërkesë për Hapje të PD-së-Nga Fatbardh Kadilli…

0
111
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Hapja e partisë demokratike, mbetet një refren i përsëritur aq shpesh, sa është bërë lodhës në ligjërimin e demokratëve dhe të atyre që flasin për PD. A është e mbyllur PD që duhet të hapet? Kush e mbyll dhe pse e mbyll? Fakti që kërkesa për hapje të PD është e vjetër dhe e përsëritur flet vetë. Mbyllja është e vërtetë. Edhe pse shpesh ka pasur cikël dhe frymë hapje, PD po aq shpesh hyn në një proces të kundërt, tkurret.

Dy janë arsyet që unë gjej ndër shkaqet e këtij proces ‘çil e mbyll’. E para ka të bëjë me vetëdijen misionare të PD. Që nga krijimi tek PD është ngulitur bindja që ka misionin për të luftuar të keqen. Kjo vetëdije prej misionari ushqen një mendësi sektare. Misioni kërkon misionarë të vërtetë, kërkon më të mirët. Gara për të provuar kush është më i miri, më i denji çon rregullisht në luftë dhe konkurrencë të brendshme jo racionale. Mjedisi bëhet lehtësisht acid dhe dallimet bëhen të papajtueshme. Ky është një cen që buron nga një virtyt dhe si i tillë moralisht amnistohet. Arsyeja e dytë e mbylljes ciklike është po ashtu një cen, por që buron nga një tjetër cen. Mbyllja ka ardhur gjithnjë kur Kryetari ka dashur ta kontrollojë PD. Sa herë që kemi humbur kemi pësuar tkurrje që ka shërbyer për të siguruar pushtetin e Kryetarit të radhës. Qoftë ky Berisha, apo Basha. Ata që kanë ngritur pikëpyetje apo kanë pasur rezerva dhe kanë menduar ndryshe janë detyruar të largohen, ose janë vetëlarguar. Rezultati ka qenë mbyllje. Këto ndarje nga loja politike në qendër janë përcjellë deri poshtë në degë, atje ku plagët nga përplasja për hatër të të preferuarit në qendër është edhe më e vështirë të shërohen.

Ironikisht, mbylljet janë pasuar me hapjen e radhës, të drejtuar po nga vetë Kryetari që e mbylli. E ka bërë Berisha, e ka bërë dhe Basha. Kur kanë menduar që u nevojiten edhe ata që larguan, kanë iniciuar me bujë ‘hapjen’. E kanë bërë duke u sjellë si ata që kanë çelësat e shtëpisë. Kanë ushqyer jo gabimisht bindjen se është Kryetari që e bën hapjen dhe se hapje quhet rikthimi në tribunën e partisë të dikujt qe ka ikur, ose sjellja në tribunë e dikujt që duket interesant dhe i pëlqyer për stinën politike. Kjo arsye e dytë e ka kthyer qarkun ‘çil e mbyll’, në një rreth me cen. Nga ky rreth me cen nuk dalim dot po nuk pranuam që ceni më i madh është pikërisht nënshtrimi dhe pranimi i paternalizmit të kryetarit për ta hapur ose mbyllur partinë, sipas nevojave të tij politike. Ky është dëmi më i madh që i është bërë PD pasi ka prekur ADN e saj origjinale. I ka hequr thelbin e saj si lëvizje popullore dhe e ka kthyer në një bashkim njerëzish që mbështesin kryetarin liderin.

Fatkeqësia më e madhe është që ky grup njerëzish beson verbërisht që kontributi i tyre është regjistruar dhe do të respektohet nga kryetar. Gabimisht e besojnë kryetarin si hipoteka ku është regjistruar sa herë kanë ardhur në protestë, sa herë kanë bërë komisionerin, grupet mbështetëse, mbledhje, etj, etj. Aspak gabimisht kryetari e ushqen idenë se ai është hipoteka e kontributeve të tyre duke ua thënë me zë te lartë anëtarësisë këtë gjë. E gjithë karriera e atyre që militojnë në PD ndërtohet jo në beteja politike, por në raportin që kanë me kryetarin. Nga kjo synojnë të bëhen kryetarë seksionesh, grup seksionesh dhe degësh. Pra, mbyllja jo vetëm pakëson, por edhe deformon duke e çuar në mpirje lëndën njerëzore dhe nervin politik.

Është e domosdoshme që ta shpërthejmë këtë rreth me cen. Është e domosdoshme që të korrigjojmë deformimin dhe të kthehemi në atë që është origjina e PD. Ne duhet të çlirojmë strukturën tonë. Ta orientojmë tek përfshirja, tek zgjerimi, tek aktivizmi, tek betejat politike që të bëhet lëvizje popullore.  Nuk mjafton forcimi i rolit të anëtarit nëpërmjet primareve. Ne duhet t’i kthejmë anëtarit edhe nismën dhe frymëzimin që ai vetë të krijojë struktura sa më fleksibël, sa me elastike. Në PD kemi një seksion për çdo qendër votimi. Garat në këtë nivel bazë mbartin shumë ngarkesa emocionale dhe shkaktojnë shumë ndarje. Kapja e drejtimit të seksionit ka qenë qëllim i individëve që e duan atë pushtet të ‘vogël’ për ta përdorur për vete, si provë të kontributit. Kjo garë është deformuar edhe nga ndërhyrja shpesh arrogante nga lart, nga ata qe kanë dashur të bëhen kryetar të degëve. Këta kanë ndikuar që në krye të seksioneve të zgjidhen kryetarët që i duan si mbështetje. Këto gara kanë shkaktuar ndarje, mënjanime, përjashtime dhe shumë fiktivitet.

Kjo sëmundje shërohet nëse ne bëjmë një ndryshim.  Le t’i japim gjithkujt që ka një mbështetje prej të paktën 5 persona mundësinë që të krijojë seksionin e tij. Kështu garantohet hapësira e gjithkujt që do të bëjë karriere politike, që do të ndikojë PD me profilin e tij, me mbështetjen e tij, me kauzat e tij. Po t’i shtojmë këtij ndryshimi edhe lejimin dhe nxitjen e forumeve horizontale që janë bashkime mbi baza ngjashmërie dhe përkatësie, atëhere u kemi dhënë mundësinë për aktivitet politik dhe karrierë edhe personave me profil të lartë, që kanë ndikim dhe aktivitet përtej territorit të një qendre votimi apo grupi qendrash votimi. Kjo i jep fund kapjes së strukturës nga ata që duan tu shkruhet emri në ‘hipotekën’ e kryetarit. Kjo fut garën reale në strukturë. Kjo garë ka një matës, zotësinë, rezultatin. Kjo jo vetëm kthen ata që kanë ikur, kjo sjell ata që s’kanë qenë kurrë më parë.

Kjo na bën parti e parë.

Kjo e zgjeron partinë. Askush nuk largohet. Gjithkush bën ‘partinë’ e vet në çdo nivel. Kjo bën që të mos ketë më debat për preferencat e kryetarit, për preferenca të deputetit, për preferencat e kryetarit të bashkisë etj. Kjo bën që askush të mos ndihet jo i mirëpritur dhe as i pa trajtuar nga strukturat. Krijo strukturën ku ndihesh mirë për të bërë politikë. Nuk do ketë më as debat shterp për fraksionet. Bëj fraksionin tënd. Askush nuk të pengon. Askush nuk të shpall kryetar. Bëhu vetë. Askush nuk të shpall as deputet, as kryetar bashkie. Garo! Fito mbështetjen e anëtarëve. Fito. Kjo i jep fund debatit për hapje dhe mbyllje. Nuk ka më kryetar që të largon. Kjo e bën partinë ftuese, e bën një mjedis ku çdokush që ka një identitet politik të bëj hapin që do. Të krijojë forumin e tij me njerëz që e mbështesin. Kjo bën që çdokush që ka synime dhe pretendime për karrierë të sjellë anëtarë të rinj, të shtojë mbështetjen.  Që ky ndryshim rrënjësor të funksionojë nuk mjafton vetëm të rregullohet me statut. Është e domosdoshme që këto struktura të jenë të garantuara, të mbrojtura nga autoritarizmi i Kryetarit. Për këtë shërben ndarja e drejtimit politik nga drejtimi administrativ i partisë. Që celësat e partisë të mos i ketë kryetari. Për këtë shërben krijimi i një Këshilli të Urtësh që të jenë garant që strukturat që krijohen të mbrohen dhe respektohen. Që anëtarësia të jetë e verifikuar. Pastaj nuk do ta dëgjojmë më kërkesën për hapje.

© SYRI.net

 

 

Zjarr Tv Ad