“Qeveria akuzon opozitën pse e drejton vendin kaq keq”- Fjalimi satirik i Gjekmarkajt në Kuvend: Kur liria e medias kërcënohet, flamuri bëhet fërtele dhe himni kombëtar, simfoni

0
65
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

*Fjala e deputetit Agron Gjekmarkaj në Kuvend*

Turp për këdo që përqesh Flamurin. Të duash Flamurin nuk do të thotë të aprovosh gjithçka që vendi e populli i tij bën ;

“Të duash atë është mirënjohje per lirinë”   ju pat thënë Presidenti Kenedi bashkëkombasve të vet !

Liria është një cak sublim për një popull po aq sa e vërteta, flamur mbi të cilin Shopenhauer na udhëzon të falemi mbi të.

Para se në realitet të zbresim, për të nderuar zbuluesin e Flamurit tonë Faik Konicen dhe mbrojtur veten nga rrufetë e patrioteve të ndezur po e citoj rilindasin e eperm tek u jep një pergjigje xhonturqve ;

Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë ?!

Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjeve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh ! Janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lenë gjurmë në letërsinë e gjithe popujve të qytetëruar.

“Nga kjo pikepamje mund të mburremi se Flamuri yne, siç është një nga më të vjetrit e botes, është dhe një nga më të drejtët”. Për fat të keq shqiptarët në një pjesë të madhe të historisë së tyre si shtet i pavarur nuk kanë patur akses të barabartë tek Flamuri.

Frati i kujtimeve At Zef Pllumi ka një perjetim unik per metamorfozen e Flamurit teksa rrefen Nentorin 1944 ;

“Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû “trobojnica”.

Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin.

Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim. “Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan;

Duam të hipim në këmbanare ” ..,

Dhe këtu historia merr një tjeter udhë, atë të ideologjisë totalitare, ku për 46 vjet me fjalët e Françeskanit ” Ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si një kufomë”.

Kjo më kujtohet kur pas 32 viteve pluralizëm përpëlitemi për dosjet e diktaturës ende të pahapura por ashtu të mbyllura si mjete shantazhi, depersonalizimi e balte mbi identitetin e një shoqerie e cila vuan dilemen e Flamurit të lirisë kombëtare apo të së vertetes publike. Fjala spiun që vertitet si çimçakez në gojë është Flamuri i retorikes aktuale. Të tunden dosjet që ky Flamur të paloset në sirtarin e së shkuares bashkë me faturen e vet morale.

Flamurin gjithmonë e rremben pushteti i cili akuzon pothuaj njesoj me të njëjtin fjalor kundërshtaret, opoziten si shperdoruese e tij , e interesave e dinjitetit kombetar, e integritetit dhe integrimit, krenarisë dhe zulmes.

E kjo ndodh sa herë pushteti me natyren e tij asgjësuese e rrëmbyese ka nevojë ta përdore bezen e kuqe me shqiponjë dy krenare në mes si gjethe fiku, si mbulesë e genjeshtrave, korrupsionit, arrogancës, manipulimit të votës, dhunimit të kundërshtarit e plot cene të tjera. Pushteti vendos patriotet në qiellien e epërm të Parajsës dhe tradhëtoret në baltën e Ferrit ku zhgërryhen si derra.

Nuk janë aktet ligjore që ja mbrojnë dinjitetin Flamurit i cili shumë herë perdoret si tek romani i famshem i Balzakut “Lekura e Shagrenit” ose në shqip, e fundshpines së gomarit me cilesi magjike për të realizuar dëshirat në rastin tonë të atyre që na qeverisin apo të tarafit ngjitë me ta, ku pas çdo dëshire të shprehur e të realizuar ajo ngushtohet, zvogëlohet, tretet derisa nuk mbetet më asgjë ;

Lëkura Flamur e Flamuri lëkurë !

Por të dashur kolegë, kur Shqipëria keqeveriset dhe korrupsioni është fjala magjike, Flamuri zvoglohet.

Sa herë mijera shqiptarë ikin dhe vendi shpopullohet Flamuri mbushet me vrima. Kur zgjedhje pas zgjedhjesh të vjedhura demokracia shndërrohet në iluzion, Flamuri mbetet në gjysem shtizë!

Kur njerëzit vriten në plazh, në rrugë, në oborr shtëpie, në dyqan kur në vend te taksive sygjerohen autoblinda, kur krimi sundon policinë dhe vendos hegjemoninë, Flamuri shërben si mbulesë për arkivole shqiptarësh!

Kur paraja publike merret për të pastruar mbeturinat nepermjet inceneratorve por në fakt ndyn gjithë etiken publike me vjedhjen e tyre, Flamurit i humbet ngjyra dhe zbërdhylet, ska lavatriçe që e kthen në fe.

Kur rrogat dhe pensionet janë mizerabel, kur pulsimet e stomakut mundin ato të ndergjegjes, kur rrogat e mësuesve dhe të pedagogëve janë më të ultat në Europë bashkë me buxhetin per arsimin, kur rrëmuja administrative e shtyn hapjen e Universiteteve në gjysem të vjeshtes, kur shkollat ngjajnë si magazina, kur liria e medias kërcënohet, kur gjykata s’ka lirinë të japë vendime por mban peng opoziten, kur pushteti nuk kontrollohet më prej askujt e me asgjë , kur qytetari zgjedh patronazhimin para rrebelimit Flamuri bëhet fertele dhe himni kombëtar shndërrohet në simfoni !

Kush e respekton flamurin që i vogel do të dijë ta mbrojë atë kur të jetë i rritur !

Por nëse model eshtë politikani lokal e qëndror , me barkun lodër e mendjen kodër, që blen diplomen dhe kultivon bejte per injorancen nën gromësima birre , kur me akraballëk merr voten dhe postin, kur djali a vajza e pasanikut të pa mund, me modelin e celularit a të makines, me pijet e ditëlindjes apo fishekzjarret e natës, vendos standartin ,

kur silikoni dhe bisturia rivalizojnë të bukurën, kur anarkia perceptohet si liri , kur tallavaja e hashashi në qoshe të pallatit në lagje apo në Londer janë adrenaline hyjnore , atij për Flamur kurrë s’do ti bjerë ndermend. Me këtë ritëm fëmijet tanë do mësojnë çmimin e çdo gjëje dhe vleren e asgjëje, do të dinë emrin e Kryeministrit dhe ministrave po të asnjerit prej atyre që dhanë jeten që të kemi një Flamur !

Emrat e dëshmorëve mund tu ngjajnë me markat e produkteve blegtorale.

Horizonti i një shteti apo kombi kësisoj bëhet i turbullt. Përgjëqësia bie mbi ata që bëjne ligje, që shkruajnë rregulla, që ngarkohen per zbatimin e tyre, ata që prezantojnë vizione ekonomike, arsimore, urbane, kulturore , ata që të fusin dorën në xhep dhe se nxjerrin pa të kapë diçka, mbi ata që duhet të mbrojnë pronën publike dhe jo ta kthejnë në oborr të kullave të tyre!

Ajo bie mbi ne të gjithë ketu, por shumë më tepër mbi Qeverinë e cila mungon gjithmonë në pergjeqësitë e veta por është prezent me Flamur në dorë duke rreshtuar justifikimet dhe akuzuar opoziten e cila po qeveris keq vendin dhe qeverinë.

Dhe në fund të nderuar kolegë po e mbyll këtë reflektim per “Ne ,dhe Flamurin”, me një percaktim të një burri që Shqiperisë i dha gjithçka dhe sundimtaret e saj i dhuruan plumbin!

E kam fjalen per At Anton Harapin i cili gjykoi në vitin 1942 se

” Përveç skeptikëve dhe apatikeve, ka dhe shqiptarë, të cilët, duke i lënë me një anë vlerat shpirtërore dhe ideale, po përpiqen pa masë që të modernizojnë dukjen ( çfaqjen) dhe jo qënjen: gojën dhe fjalët, por jo mendimin: barkun e jo shpirtin, rrobat e paraqitjen dhe jo veprat e ndërgjegjen: me këta mos paça fjalë as punë:

O Zot mos ja qit kujt në hise , O Zot prapsoja Shqiperisë!

Po ka dhe shumë të cilët njimend duan t’a sjellin mbarë boten shqiptare;

“Duan të vendosin idealet, dhe kështu duke naltësuar dhe siguruar vlerat shpirtërore, duan të përtërijnë tërë jetën shqiptare bashkë me kërkesat ideale, duan të shtojnë dhe përmirsojnë edhe të mirat materiale.

Zoti ua dhashtë të mbaren! I rrofshin Shqiperisë për të gjatë e mot”

Me gjasë për një paaftësi tonen shoqërore këtyre u rrëmbehet Flamuri nga dora, himni nga goja, Shqipëria nga ëndrrat, dhe në fund u mbetet vetem shkopi që shumëkush se përdor mirë!

Zjarr Tv Ad