Qeveria dhe KLGJ nuk tërhiqen nga mbyllja e 18 gjykatave, Manja: Avokatëve s’u lejohet greva! Haxhia: Hartën e re gjyqësore do ta çojmë në…

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

MARIGLEN KUME / Qeveria dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk tërhiqen nga vendimi i hartës së re gjyqësore që mbyll 18 gjykata. Sipas Ministrit të Drejtësisë, kjo është harta më e mirë e mundshme referuar situatës aktuale me Reformën në Drejtësi.

Ndërkohë, Manja “kërcënoi” avokatët, të cilët prej 3 javësh nuk marrin pjesë në seanca gjyqësore në shenjë kundërshtie se do kërkojë ndryshimin e ligjit për avokatët ku t’ua ndalojë të drejtën e grevave.

“Kryetari i Dhomës së Avokatëve ishte me shqetësimin e aksesit në drejtësi. Por këtij shqetësimi nuk mund t’i përgjigjen me një kufizim aksesi. E vetmja pikë ku bashkohemi është zbatimi i ligjit, as më shumë e as më pak do kërkojmë zbatimin e ligjit për avokatinë. Ka një ligj për avokatinë dhe si Ministri Drejtësie do kërkojmë zbatimin e ligjit. Nëse s’janë bojkotuar masat urgjente, ata do duhet t’i kthehen ligjshmërisë. Atyre iu është kufizuar e drejta e grevës në ligjin e avokatisë. Është njëlloj sikur të hynë në grevë punonjësit e Policisë së Shtetit. Por nëse do duhet të shprehet në mënyrë eksplicite do ta përkthejmë në ligjin e avokatisë. I falënderoj avokatët në masat e sigurimit dhe masat urgjente, por nuk bie dakord dhe është e patolerueshme shfuqizimi i listës së avokatëve për kategoritë vurnerabël. Sa u përket masave të tjera për heqje licencash të më gjejë një nen të vetëm ku bazohet për këtë. Cilin ligj ka shkelur avokati? Ligji është detyrim për ta zbatuar si për ne, ashtu edhe për avokatët. Është e qartë situata”, tha Manja.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, u shpreh se avokatët nuk gabojnë në vendimet që marrin dhe se hartën e re gjyqësore do ta çojnë në Gjykatë.

“Komuniteti i avokatëve mori një vendim. Nuk gabojmë në vendimmarrje, por jemi bazuar në ligjin për profesionin e avokatëve. Ne e dimë që do kalojë, pasi është vulosur. Do ndjekim rrugën ligjore, do t’i drejtohemi gjykatës sipas kompetencës për ta rrëzuar këtë vendim të qeverisë që i jep formën e prerë. Dua të siguroj, pa dashur të bëj polemikë me ministrin, nuk jemi nga ata që i bëjmë gjërat nga emocionet e momentit. Kemi debatuar me shumë kulturë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk e prek dot avokatinë me çfarë do ligji të bëni. Jemi njerëz me integritet dhe kulturë qytetare. Në fund do t’i drejtohemi Gjykatës. Nuk i jemi drejtuar pasi shpresojmë, do Zoti që të bëjë një përmbysje mendore, për të gjetur atë rrugë për të mirën e publikut”, u shpreh Haxhia.

AKUZAT

Gjatë seancës dëgjimore me përfaqësuesit e organeve të drejtësisë nuk munguan akuzat nga ana e opozitës. Deputetja e PD-së, njëkohësisht nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, u shpreh se harta e re gjyqësorë është bërë mbi bazën e studimeve të “Google Map” për të matur distancën e qytetarëve nga gjykatat. Ndërkohë që situata në realitet sipas tyre është shumë herë më e vështirë.

“Sot që flasim, një qytetari për të shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë mund t’i duhen nga 1–1.5 orë, ndërsa sipas riorganizimit gjyqësor qytetarëve do t’u duhen 2.5- 3.5 orë për të arritur në gjykatë. Sa u përket gjykatave të Apelit, qytetarëve mund t’u duheshin deri në 2.5 orë për të aksesuar gjykatën, ndërsa me riorganizimin gjyqësor do t’u duhen deri në 5 orë. Pra, mendojeni pak 5 orë vajtje dhe 5 orë ardhje, do të thotë 10 orë për të ndjekur një proces gjyqësor. Për ilustrim, një qytetari që banon në fshatrat e Shkodrës, Pukës, Korçës apo Gjirokastrës dhe ka një proces gjyqësor në orën 09:00, do t’i duhet të niset rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit në mënyrë që të arrijë rreth orës 08:45 në gjykatë. Të njëjtat distanca do të duhet të përballohen edhe nga avokatët e palëve, duke rritur kështu kostot e dyfishta në kohë dhe para për qytetarin. Këto janë përllogaritje të bëra nga vetë KLGJ, nëpërmjet aplikacioneve online, që siç e thamë më lart vështirë se mund të merren për referencë në kushtet infrastrukturore të Shqipërisë”, tha ajo.

Ndërsa Gazment Bardhi u shpreh se kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, vetëm sa ka hedhur firmën pasi harta gjyqësore është përgatitur nga Kryeministri Rama. Por ky pretendim u hodh poshtë prej saj. Llagami deklaroi se i gjithë studimi ka qenë produkt i grupit të punës dhe jo i Kryeministrit Edi Rama. Ajo u shpreh se kanë marrë ekspertizën nga vendet e huaja nga Këshilli i Europës tek OSBE.

“Më vjen keq që aludohen për gjëra në lidhje me vendimin e KLGJ. Nuk mund të flasim për apelin pa ju shpjeguar për procesin. Është proces teknik dhe ligjor. Na detyron ligji ta bëjmë. KLGJ është krijuar në dhjetor të 2018 dhe në shkurt të 2019 krijuam grupin e punës. Brenda 18 muajsh duhet të bënim gati propozimin për hartën gjyqësore. Është analizuar çdo indikator. Në grupet e punës edhe Ministria e Drejtësisë. Morëm ekspertizën e Këshillit të Europës. Morëm ekspertizën e OSBE-së dhe puna e grupit të punës u mbyll brenda afatit. Në shtator të 2020 ia dërguam Ministrisë së Drejtësisë produktin final”, deklaroi kryetarja e KLGJ-së.

Zjarr Tv Ad