Kreu i ekzekutivit po qëndron prapa asaj çka u deklarua ditën e 21 nëntorit, kur Qeveria u vuri taksë prej 100 përqindësh të gjitha produkteve serbe e boshnjake, duke paralajmëruar edhe masa të reja, nëse do të vazhdonte fushata kundër Kosovës.
Me gjithë presionin ndërkombëtar për ta hequr këtë taksë, Qeveria po përgatit masa shtesë në kuadër të një strategjie që parasheh implementime të pakove të tjera që do t’ia mundësojnë sjelljen e njëanshme Serbisë.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi, megjithëse ky nuk ka konfirmuar se a pritet të ndodhë kjo në mbledhjen e nesërme të Qeverisë.
Burime të Gazetës Express, brenda institucioneve të Kosovës, kanë konfirmuar se masa e parë do të jetë vendosja e masës reciproke ndaj veturave të Serbisë, e cila aplikohet për veturat e kosovarëve.
Qytetarët serbë do të detyrohen të vendosin tabela të përkohshme njësoj sikur i vendosin kosovarët kur shkojnë në Serbi.
Masa e dytë, sipas burimeve, pritet të jetë ndalimi i mallrave të kompanive me brende botërore, të cilat nuk janë ndaluar deri më tash.
“Disa prej brendeve kryesore na kanë njoftuar se Kosova s’do të furnizohet prej fabrikave në Serbi. Do t’i sjellin të njëjta produkte nga fabrikat që kanë në Maqedoni, Hungari dhe vende tjera të BE-së”, është bërë e ditur.
Masa e tretë kundër Serbisë pritet të jetë vendimi i Qeverisë për të mos njohur dokumentet serbe, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet kosovare që kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve etj.
Ndërkaq, kryeministri ka thënë se këto masa do të hiqen vetëm atëherë kur shteti serb ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, ndërkaq, vendimi deri më tani ka ndikuar në ngritje të çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë.