Qeveria greke ka shpallur planin e rimëkëmbjes me bixhet prej 57 miliardë euro. Mediat e huaja bëjnë me dije se Greqia synon rritje të PBB-së deri në 7 nivele për 6 vitet e ardhshme.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar i drejtohen popullit grek live përmes çdo media në prezantimin e detajuar të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes “Greqi 2.0” me 170 vepra, projekte dhe reforma të hartuara me përgjegjshmëri për të siguruar qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit e që synojnë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në 7 nivele në 6 vitet e ardhshme, si dhe sigurimin e 200.000 vendeve të reja pune.
Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes “Greqi 2.0” bazohet në katër boshte, në transformimin dixhital të shtetit dhe ekonomisë, rritjen e punësimit dhe mirëqenies sociale, ekonominë e gjelbër dhe shpërthimin e aktivitetit prodhues, me investime të posaçme në fushën e Arsimit, Shëndetësisë etj.
Kryeministri grek ka theksuar se ky plan është jo-partiak, përkundrazi, është një plan i gjithanshëm për të nesërmen e vendit, për mbarë Greqinë, që ofron shanse për rindarjen e pasurisë së vendit, duke transformuar sistemin e deritanishëm ekonomik në një modern, të hapur, me tatime motivuese, punësim por edhe iniciativa e investim nga individët që duhet t’i bashkohen planit, për të ndryshuar nga sot të nesërmen.
Plani Kombëtar për Rimëkëmbje me objektiv të ndryshohet rutina, e përditshmja e popullit grek, vjen paralelisht me diskutimet e para nga ministria e Zhvillimit për lehtësimin e masave kufizuese, ndërsa pandemia ka arritur në shifra rekord për vendin. Brenda javës do të bëhet e ditur nëse do të rifillojnë funksionimin me orar të kufizuar disa njësi shitëse, nëse do lejohet qarkullimi nëpër lagje dhe çfarë do bëhet me shkollat. Greqia është në lockdown të ashpër 5 muaj.