Qeveria hap tenderin e madh prej 150 mln dollarësh, projekti do zbatohet nga FSHZH, shtrihet në 7 qytete

0
17

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Vlera totale është rreth 150 milionë dollarë ndërsa nga buxheti i këtij viti janë vënë në dispozicion afro 30 milionë dollarë.

Projekti do të shtrihet në të gjitha qytetet ku ka pasur dëme nga tërmeti, në radhë të parë në Durrës, për të vazhduar me Kavajën, Kamzën, Krujën, Kurbinin, Mirditën, Lezhën, Shijakun dhe Vorën.

Përjashtim bën Tirana ku tenderin për rindërtimin e pallateve do ta organizojë bashkia e kryeqytetit. Sipas dokumenteve të publikuar, tenderi do të jetë me procedurë të kufizuar, projekti do të zgjasë dy vjet, ndërsa kontrata për ndërtimin e pallateve do të jetë 12 muaj për çdo objekt.

Tre janë kriteret e shpalljes së fituesit, 60% e pikëve i merr oferta më e ulët, 30 për qind kohëzgjatja e punimeve dhe 10 për qind cilësia e tyre. Ofertat do të hapen në 14 gusht dhe një kompani mund të kërkojë të marrë pjesë në garë për lote të veçanta ose në të gjithë projektin. Pallatet që do të rindërtohen janë përcaktuar sipas planeve të detyruara vendore në zonat e shpallura për zhvillim ose mund rindërtohen në sheshin ku ka ekzistuar më parë.