Qeveria hollandeze do vazhdojë ta mbajë mbyllur derën e negociatave me Shqipërinë.
Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i vendit, Stef Blok, gjatë një debati parlamentar me përfaqësues të partive opozitare.
Kryediplomati Blok tha: “Qeveria nuk është e interesuar për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. “
Duke iu përgjigjur pyetjeve të kolegëve deputetë, zyrtari i qeverisë tha se Shqipëria ka ende shumë për të bërë.
Holanda ka një qasje më pozitive për Maqedoninë e Veriut, dhe ministri Blok thotë se vendi ka shënuar progres më të madh sesa Shqipëria në kriteret e caktuara, megjithëse beteja me korrupsionin dhe sundimin e ligjit nuk është aty ku duhet.
Me gjithë rezervat për dy vendet, kreu i diplomacisë holandeze refuzoi të dalë me një qëndrim përfundimtar se si do të votojë qeveria e tij përkrah shteteve anëtare në javët e ardhshme.
Parlamenti në Vendet e Ulëta mbetet i ndarë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Social-liberalët e partisë qeveritare D66, opozitarët laburistë dhe të gjelbrit janë shprehur në favor të zgjerimit të aleancës europiane me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë partia më e madhe e koalicionit për Liri dhe Demokraci nuk ka pranuar të deklarohet.