Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa shembuj nga përmirësimi i teksteve shkollore, të cilat gjatë viteve të kaluara kishin gabime trashanike, si në rastin e fshatit shqiptar në librin e historisë që ilustrohej me një bllok rezidencial vilash.
Rama thotë se një rrjet i tërë mësuesish dhe ekspertësh u ngrit për të adresuar këto shqetësime deri në përmirësimet e duhura. Sipas tij, qeveria i dërgon të gjithë, edhe kur nuk është dakord, dhe bën punë të mira.
“Për Arsimin Cilësor. Një qeveri që i dëgjon të gjithë dhe edhe kur nuk është dakord me të gjitha, bën punë të mira. Besoj ju kujtohen shqetësimet e ngritura vitin e kaluar nga publiku, në lidhje me disa pasaktësi apo ndonjë pasqyrim jo të përshtatshëm të jetës reale në tekstet shkollore!
Një rrjet i tërë mësuesish dhe ekspertësh u ngrit për të adresuar ato shqetësime, çka solli përmirësimet e duhura. Ja disa shembuj në foto nga librat e përmirësuar për vitin e ardhshëm shkollor”, shkruan kryeministri Rama dhe ndan disa foto nga tekstet e redaktuara.