Qeveria i kundërpërgjigjet Malit të Zi: Nuk e falim asnjë centimetër tokë

0
789
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Gazetën Blic ka mbrojtur qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj, se marrëveshja për Demarkacionin është e gabuar dhe duhet të rishikohet. Sipas ministrit Lekaj për këtë arsye është zgjedhur edhe komisioni i ri, i cili është i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

“Sa i përket Demarkacionit, kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj e ka bë shumë të qartë që ne nuk lëvizim prej asaj që e kemi thënë, është shkarkuar komisioni i mëparshëm, është formuar komisioni i ri që ka përgjegjësi për të rishikuar gjithë atë çka ka ndodh me demarkacionin”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur për prononcimet e zyrtarëve të Malit të Zi dhe ndërkombëtarëve, Lekaj tha se gjithçka do të zgjidhet me raporte të mira ndërshtetërore, mirëpo duke e pasur të qartë që Kosova nuk i fal territor askujt.

“Sa i përket prononcimeve të Qeverisë së Malit të Zi ne jemi në fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kësaj fqinjësie, me raporte të mira ndërshtetërore por duke menduar çdo herë se Kosova nuk ka territor që t’i fal askujt.”, shtoi Lekaj.

Sipas tij, pas rezultateve të komisionit të ri, përfundimisht vendos Kuvendi.

“Ne presim të gjeturat e komisionit të sapo formuar dhe pas saj Kuvendi do të vendosë, kur janë të gjeturat që versioni i kaluar ka qenë i damshëm për Kosovën dhe pas hudhjes poshtë të marrëveshjes së mëparshme, atëherë ne do të shikojmë se cila do të jetë rruga më e përshtatshme për të komunikuar edhe me qeverinë e Malit të Zi që t’i bindim që marrëveshja e mërparshme ka qenë nga komisioni jonë i gabuar.”, përfundoi ai.

Haradinaj ka vazhduar me qëndrimin e tij se marrëveshja për Demarkacion duhet të rishikohet, madje njëri ndër vendimet e tij të para ka qenë shkarkimi i komisionit të kaluar në krye me Murat Mehën, mirëpo një qëndrim i tillë ka ngjallur reagime nga ndërkombëtarët dhe zyrtarët e Malit të Zi. Sipas Haradinajt çështja demarkacionit është çështje që mund të diskutohet por që kufiri gjendet në Çakorr e Kullë.

Në anën tjetër kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ditë më parë e ka porositur homologun e tij kosovar, Ramush Haradinajn, që të jetë më i përgjegjshëm në raport me këtë proces.

“Dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështje, sidomos të përgjegjshëm ndaj malit të Zi si shtet mik. Vend i cili ka mbështetur Kosovën dhe i ka mirëkuptuar rrethanat atje, por që për këtë çështje nuk mund të ketë negociata, pa marrë parasysh vendimeve që ata kanë marrë”. ka thënë Markoviq.

Zjarr Tv Ad