Gazetari Klodian Tomorri, duke komentuar Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë dhe të drejtat e njeriut, ku flet për goditjen nga qeveria ndaj biznesit të deputetit të PD-së, Agron Shehaj, u shpreh se kjo ngjarje është shumë e tmerrshme dhe një nga krimet më të rënda që mund të bëjë një qeveri.
Tomorri tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se Shehaj është një biznesmen që është pasuruar falë suksesit të vet, jo nga politika apo nga postet publike dhe qeveritë e korruptuara nuk i durojnë njerëz të tillë, sepse i shohin si kërcënim.
“Historia e Agron Shehajt është shumë e rëndë, sepse pushteti përdor bandat e tij të policisë për të goditur kundërshtarët politikë, thjesht dhe vetëm pse ai ka denoncuar aferat e qeverisë në parlament, në përmbushje të misionit të tij si deputet. Kjo është shumë e tmerrshme, një nga krimet më të rënda që mund të bëjë një qeveri dhe ndodh vetëm në shtetet e kalbura. Vetëm Putini e bën këtë që shkon, i merr dhe i burgos.
Kjo nuk mund të kalohet shumë lehtë. Duket qartë që është një goditje me qëllime politike për shkak se z.Shehaj ka një pëlqyeshmëri publike dhe ka gjithçka që kjo klasë politike nuk e kap dot. Është një biznesmen që është pasuruar falë suksesit të vet, nuk është përlyer në afera korruptive, nuk është pasuruar nga politika apo nga postet publike dhe qeveritë e korruptuara nuk i durojnë njerëz të tillë, sepse te ata shohin gjithçka që nuk janë vetë, i shohin si kërcënim”-tha Tomorri.