Analisti, Patrik Sadikaj ka qenë i ftuar në studion e Fax News ku ka folur lidhur me protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha që pritet të mbahet ditën e nesërme.
Sadikaj u shpreh se qytetarët ishin skeptikë mbi protesta të tilla pasi mbizotëron ideja se do të jetë një grumbullim militantësh partiakë për të treguar forcën.
Më tej, analisti u shpreh se problem ishte ajo se çfarë do ofrohej nëse protesta do të arrinte qëllimin e vetë, duke theksuar se ende nuk kishte një program të mirëfilltë të prezantuar si rrugëdalje nga kriza aktuale.
“Qytetarët në përgjithësi janë skeptikë, nuk besojnë tek këto protesta sepse zakonisht janë protesta militantësh. E njëtja gjë ka ndodhur edhe më parë. Pala opozitare, mblidhte punonjësit e adminsitratave lokale, kur janë në pushtet bëjnë këto mitingjet festive dhe sigurisht mbledh punonjësit e administratës.
Por gjithsesi edhe një herë them, nuk ka rëndësi protesta, por rezultati. Nëse do ndikojë në uljen e çmimit të karburantit dhe të çmimeve ushqimore, atëherë po. Imagjinoni si kanë kapërcyer çmimet në bregdetin shqiptar. Çështja është si duhet rikthyer edhe njëherë në normalitet ekonomik ky vend. Por jam i bindur se një opozitë duhet të bëhet disa herë më e mirë se qeveria që t’i bindë qytetarët.
Duhet të ketë një ofertë, një program. Këtu palët politike vijnë dhe prezantojnë programe vetëm fasadë.
Në këto momente nuk ka opozitë, kjo historia e opozitës së vërtetë është pak fiktive. Opozita e vërtetë provohet me votë. PD duhet që krahas protestave, në shtator duhet të dalë me një platformë politike për zgjedhjet lokale, jo të ndodhë si vitet e fundit, ku prezantimi i kandidatëve bëhej në momentin e fundit”– u shpreh Sadikaj.