Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al
Rezultati i zgjedhjeve të pjeshme lokale, (akoma jopërfundimtar), i ngjan një bombardimi të heshtur që pushteti i ka bërë demokracisë për të disatën herë rresht!
Në kushtet kur fituesit diheshin, kryefjala e këtyre votimeve, është pjesmarrja.
7 nga 10 qytetarë me të drejtë vote, nuk kanë votuar!
Si rrjedhim, partia që teorikisht kryeson këto zgjedhje, është partia PBIQ.
Nuk është formalizuar akoma, por është partia e cila ka fituar të gjitha zgjedhjet e fundit; Partia e Bojkotit dhe e Indiferencës Qytetare!
Megjithëse në shumicë të padiskutueshme, kjo “parti” nuk merr asgjë, sepse “anëtarët” e saj nuk presin asgjë. Ata e kanë humbur totalisht besimin se të votuarit prej tyre do të bëjnë ndonjë gjë në të mirë të tyre. Ata janë indiferentë ose bojkotues.
Kanë votuar vetëm ata të cilët interesat e tyre personale i kanë të lidhura ngushtë me partitë politike.
Kanë votuar punonjësit e bashkive dhe të ndërmarrjeve të tyre.
Ka votuar një pjesë e administratës, rrogëtarë të shtetit.
Kanë votuar punonjësit e kompanive që punojnë me fondet e bashkive apo të shtetit në përgjithësi.
Kanë votuar militantët dhe pensionistët që votojnë gjithnjë jetën në të njejtën kuti!
Sigurisht që kjo “armatë” interesaxhinjsh i mund ata që janë përballë. Aq më tepër që ata janë të ndarë e të dreqosur. Pjesmarrja e PD-së së Bashës dhe SHL të Berisha-Metas në këto votime nuk kishte lidhje me fituesin. Ai dihej. Ata “u kacafytën” për logon e partisë, për pronën e tyre të vogël, për “lopën e tretur dhe të shtrirë në haur”, e cila nuk dihet a do të çohet ndonjëherë në këmbë, a do t’i hedhin për të ngrënë dhe a do të bëjë përsëri “qumësht”, apo do të lëngojë derisa të ngordhë. Kjo e dyta është e trishtë por e mundshme! Atë po e mundësojnë çdo ditë e më tepër dy fosilet politike me moshë të ndryshme, por me përgjegjësi dhe mentalitet të njejtë.
Këto votime i treguan shqiptarëve dhe Botës se sot në Shqipëri pluralizmi politik është thjesht një fasadë që maskon monizmin faktual.
Në Shqipëri nuk ka opozitë politike partiake.
Partitë opozitare luftojnë vetëm për pushtetin “e vogël”, për kockën që u hedh “pushteti i madh”, pushtet të cilin ata nuk kanë as qëllim, as dëshirë dhe tashmë as takat që ta rrëzojnë, për të ofruar alternativën e tyre qeverisëse.
Opozita politike sot, si faktor ndikues apo ndryshues në jetën e shqiptare, ka vdekur.
R.I.P opozita. Rroftë monizmi!