Deputeti Ralf Gjoni, mbrëmjen e djeshme, ka folur për mënyrën si do të shkojë drejt zgjedhjeve të 25 prillit.
Gjoni, rrëfeu se ka bërë përpjekje për të krijuar një front opozitar, kundër forcave të mëdha politike në vend, duke marrë parasysh këtu PS-PD-LSI.
Ralf Gjoni: Unë kam besuar dhe jam përpjekur të flas gjatë gjithë këtyre muajve me miqtë e tjerë dhe kolegët e tjerë për të formuar një listë të përbashkët. Jo vetëm me ata që janë në Parlament, por edhe me ata që janë brenda Parlamentit. Unë besoj që situatat aktuale, konteksti aktual politik në Shqipëri, kanë nevojë për një front të bashkuar opozitar, për një listë të përbashkët për të paraqitur një alternativë qeverisëse ndaj Ramës. Mendoj se ndarja në parti veç e veç do dobësonte shumë kauzën opozitare dhe do forconte pushtetin aktual jo vetëm të Edi Ramës, por atë që unë e quaj triumfirati Rama-Berisha-Meta, ose Rama-Basha-Kryemadhi.
Gazetari: Ajo çka ti po thua është se ti mendon një front opozitar që është kundër të dy palëve, sepse ne njohim dy palë të cilat janë në përplasje të hapur me njëra-tjetrën
Ralf Gjoni: Nuk mund t’i shoh si dy palë kundër njëra-tjetrës, përkundrazi i shoh si një palë.
Gazetari: Kjo listë që thua ti do të jetë kundër këtyre dy palëve?
Ralf Gjoni: Po, unë besoj që Shqipëria sot ka nevojë për një front opozitar ndryshe nga PS-PD-LSI
Gazetari: Kush mund të jetë aty brenda? Kë përfshin?
Ralf Gjoni: Çdo individ dhe parti politike, e cila nuk ka lidhje me të shkuarën, nuk ka mëkate të shkuarës dhe ofron shpresë dhe alternativë qeverisëse.