Kryeministri Edi Rama ka publikuar një emër tjetër aktori dhe regjisori, i cili sipas tij, mbron dhe mbështet idenë së vendi ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar.
Bëhet fjalë për aktorin dhe regjisorin Genc Fuga, që siç citohet edhe nga Rama, ka deklaruar se duhet të ndërtohet një teatër, i cili të ketë në zbatim parametrat e teknologjisë së fundit.
Postimi i Ramës:
Aktori dhe regjisori Genc Fuga është diplomuar në Londër dhe përveçse pedagog në Universitetin e Arteve, ai i ka dhënë publikut me dhjetra role për tu mbajtur mend, si në teatër ashtu edhe në kinema. Ai e ka shprehur që herët domosdoshmërinë për një teatër të ri e dinjitoz, me të gjithë parametrat që duhet të ketë një Teatër i vërtetë Kombëtar.
GENC FUGA:
Jam pro ndërtimit të një teatri të ri, duke ruajtur territorin dhe ç’është më kryesorja, duke negociuar shumë fort për këtë pasuri, mbase jo të teatrit në vetvete, jo të ministrisë në vetvete, por këtë pasuri tonën. Do doja një teatër me teknologjinë e fundit të magjisë, mund të përmend podet pneumatikë, hapësira të tjera për lëvizjen e dekorit, teknika skenike që kanë evoluar e që patjetër, në kushtet aktuale, mendoj se po limitohen edhe regjisorët në shprehjen e figurave të tyre artistike. Një teatër i ri i përshtatshëm për teatër është kërkuar që në 1953. Teatri Kombëtar tani është një ndër skenat më të painvestuara. E vetmja teknologji bashkëkohore që mund të ketë skena e teatrit aktualisht është një rotativë, pra një shpikje që në 1800, e trashëguar nga operat. Xhepat skenikë nuk mjaftojnë, hapësirat mbrapa nuk mjaftojnë, janë bërë vetëm restaurime apo mballoma, por nuk është zgjidhur hapësira e përshtatshme për këtë gjë.