Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë në një dëgjesë me qytetarë sipërmarrës të Beratit, projektin për Bonusin e Rijetezimit që janë grante për fushën e turizmit. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët Rama iu bëri thirrje familjeve shqiptarë që kanë në trashëgimi shtëpi të vjetra, sidomos në zonat muzeale, si kalatë, që të aplikojnë për të përfituar nga ky bonus.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se do të hiqet tarifa për të hyrë në kalanë e Beratit. “Do ta heqim tarifën për të hyrë në kala. Nuk krijon një të ardhur të rëndësishme që të thuash se do bëjmë investime me to në kala”, tha ministri Çuçi.
“Shpresoj që të kemi mundësi që pas këtij takimi t’i bëjmë dhe një reklamë përkatëse në rrjetet sociale tonat dhe ndërkohë, më vjen shumë mirë që pikërisht, në një shëmbëlltyrë konkrete të efekteve ekonomike dhe sociale të rijetëzimit, ne sot po bëjmë me dije se një tjetër zotim i fushatës elektorale dhe një tjetër pikë e programit tonë të Shqipërisë 2030 tanimë kthehet në një instrument në dispozicion të të gjithë atyre që do duan të përdorin bonusin e rijetëzimit për të kthyer në jetë dhe për t’i kthyer në instrumente ekonomikë shtëpitë e vjetra në qendrat historike, në radhë të parë në kala, sepse rijetëzimi i kalave është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë një vend me një trashëgimi kulturore të pasur si Shqipëria.
Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel sot në këtë takim të parë informues të gjithë familjarëve që disponojnë shtëpi të tilla që tanimë, me bonusin e rijetëzimit, me këtë program të ri mbështetës, ne jemi në krah, siç e tha ministrja, me dy instrumente mbështetjeje; një për restaurimin dhe konsolidimin e pjesës, si të thuash, e guaskës së shtëpisë, pra mureve, dritareve, dyerve dhe fasadës apo çatisë, ku do të japim deri në 10mijë dollarë nga shteti, 1milionë lekë të reja dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do duan të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë deri në 50mijë dollarë.
Sa më shumë të kemi shtëpi të tilla të transformuara, destinacione që janë qoftë hoteleri, qoftë restorante, por edhe destinacione që kanë të bëjnë me zejet, me kulturën tradicionale, ose dyqane e më radhë, aq më shumë do kemi turistë, se do kemi kapacitet mbajtës përtej një dite të vetme dhe ky është qëllimi, që t’u japim mundësi turistëve që të kenë një hartë me disa stacione dhe kështu në çdo zonë të Shqipërisë të mund të programojnë më shumë se sa vajtje, ardhje brenda një dite e patjetër aq më shumë do të rrisim edhe të ardhurat.
Kjo e kombinuar me disa ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë të bëra nga kryetari i bashkisë, edhe me mbështetjen tonë, por edhe me forcat e pushtetit vendor dhe kam këtu parasysh by-pass-in që është drejt përfundimit. Një ndërhyrje shumë e rëndësishme edhe për sa i përket mbrojtjes lumore të qytetit, por dhe për të lehtësuar më shumë trafikun. Edhe aksi që erdhëm sot këtu, rruga e kalasë që është komplet një realitet tjetër, janë të gjitha ndërhyrje që njësoj si në Gjirokastër, me parkimin që po bëhet në sheshin e Çerçizit e me transformimet e mëtejshme, do t’i japin më shumë vlerë pronës, do të rrisin vlerën e pronës dhe është gjynah që një pronë e rivlerësuar për shkak të gjithë këtyre ndërhyrjeve e që do ta vazhdojnë këto ndërhyrje dhe e vlerësuar si një pronë e rëndësishme, jo vetëm për të zotët e tyre, por dhe për thesarin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të mbetet e pashfrytëzuar”- u shpreh Rama.