Ditën e djeshme, vajza e Bashkim Finos, Megi Fino, ka marrë një post të rëndësishëm në qeveri, duke u emëruar zv/ministre për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme, në këshillin e ministrave dhe në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, është firmosur nga zëvendësi i tij Erion Braçe.
Megi Fino, u shfaq për herë të parë në radhët e të majtëve në kongresin e Partisë Socialiste, ku mbajti një fjalim të ndjerë. Teksa mori kartën e anëtarësisë në këtë Parti, ajo tha se kjo kishte qenë një dëshirë e të atit.
Bashkim Fino, u nda nga jeta më 29 Mars, pas një betejë të gjatë me COVID. Për rreth tre dekada, ai ka qenë në radhët e socialistëve. Fino ishte Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, si dhe deputet në disa legjislatura nën siglën e socialistëve.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Znj. Megi Fino emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.