“Rama jeton mes luksit, përdor gruan si mburojë! Koha të japë llogari”

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike thotë se Edi Rama nuk ka ndërmend të plotësojë kërkesat e studentëve, për një arsye të thjeshtë, pasi aty nuk ka aq shumë lekë për të vjedhur.

Në një dalje për mediat nga selia blu, zëdhënësja e demokratëve Ina Zhupa deklaroi se lekët e studentëve Kryeministri i ka vjedhur prej kohësh përmes Ligjit të Arsimit të Lartë dhe sot vetëm tallet me studentët.

Sipas saj, për Edi Ramën ka rëndësi vetëm ruajtja e standardit të jetës mes luksit “Luks në shtëpinë e tij në Surrel, luks në zyrën kryeministrore me salla masazhi dhe dhoma puroje, luks me studion e punëve private me oxhak 18 mijë euro”.

Në vijim tha se sipas një dokumenti të brendshëm te OSBE-së, Edi Rama, për 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, zotëronte në vitin 2015 një pasuri të fshehur 200 milionë euro.

“Imagjinoni sa është shtuar pasuria e fshehur e Edi Ramës, pasi ka dhënë çdo gjë me koncesion tek një grusht klientësh të oborrit të Surrelit. Edi Rama e nisi karrierën me 10 milionë lekë dhe sot, vetëm vlera e shtëpisë superluksoze në Surrel është deklaruar 400 milionë lekë. Ai thotë se tokën ku është ndërtuar shtëpia ia ka blerë gruaja. Dasmën e bën me kursimet e gruas, shtëpinë superluksoze e paska ndërtuar me kursimet e gruas. Madje edhe në bankën me pronarë fantazmë në parajsa fiskale e ka vënë në emër të gruas”, u shpreh Zhupa.

Ajo shtoi se Edi Rama ka bërë zgjedhjen më burracake, duke vendosur që për të gjitha akuzat mbi pasurinë e tij marramendëse, të përdorë gruan si mburojë dhe se Kryeministri ka detyrimin të shpjegojë pse luksi real dhe pasuria e tij nuk përputhen me deklaratën e pasurisë.

Zhupa tha më tej se shqiptarët duan të dinë pse ata kanë fëmijët pa ngrohje në shkolla dhe konvikte, ndërsa Edi Rama ngrohet në oxhak 18 mijë euro dhe se shqiptarët duan të dinë pse 290 mijë fëmijë ushqehen vetëm një herë në ditë, ndërsa kryeministri i tyre jeton si sulltan mes luksit, në një shtëpi që profesionistët e llogarisin me vlerë 2 milionë euro.

Për Zhupën, fshehja e pasurisë marramendëse është arsyeja përse Edi Rama votoi kundër vettingut të politikanëve.

“Ndërsa përdorimi si mburojë politike e gruas së tij është prova e degradimit të një kryeministri që e ka përdorur pushtetin për të varfëruar edhe më shumë shqiptarët, për t’i detyruar të largohen të pashpresë nga vendi dhe për t’u pasuruar me babëzi e lakmi të pafundme për vete”, tha në vijim Ina Zhupa.

Ajo e mbylli fjalën e saj duke thënë se është koha që Edi Rama të mos fshihet me pas gruas, por t’i dalë për zot dhe të japë llogari “për luksin e paturpshëm në të cilin jeton”

Zjarr Tv Ad