Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Peshkopi, në kuadër të turit të takimeve për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të degëve të Partisë Socialiste. Rama tha se ky proces është një risi, pasi partia është hapur edhe përtej anëtarëve të saj.
‘Përshëndetje të gjithëve, shumë kënaqësi që jam këtu për të ndjekur ballafaqimin e kandidatëve për kreun e PS-së në Dibër, për të zgjedhur si fillim kryetarët në 61 bashkitë, për tu shtrirë në njësitë bashkiake.
Arsyeja se pse ne kemi arritur të jemi të suksesshëm në sfidat elektorale në radhë të parë është se ne gjithmonë jemi përpjekur që të përmirësohemi, qoftë në qeverisje, qoftë në mënyrën e organizimit.
Arsyeja se pse ne kemi qenë të suksesshëm në raport me të gjithë të tjerët, është se ne nuk kemi fjetur mbi dafina, por kemi filluar të reagojmë duke parë mirë rezultatet, ti lexojmë ashtu siç duhet, dhe duke mos u kënaqur me ato që kemi arritur”, tha mes të tjerave Rama. Kreu i socialistëve tha se partia në çdo degë do të ketë bashkëkryetarë, një grua dhe një burrë, në rast se i zgjedhuri do të jetë burrë.
“Kudo ku organizatat janë të bashkëdrejtuara, rezultatet janë më të mira, po mos të kishte gra, në një qendër votimi, në një zonë, aty nuk do të kishte as parti, ishte një situatë shurdhe, shyqyr që janë gratë që dhe burrat e mbajnë veten, justifikimi që nuk ka gra është komplet kot. Sa më shumë burrat bëjnë si të fortë, aq më shumë drejtohen nga gratë.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Dibër nuk e kemi arritur objektivin tonë, një nga të paktat qarqe, mirëpo patëm një rizgjim shumë pozitiv në zgjedhjet e pjesshme, ku u pa qartë se kur ju doni, nuk ka asgjë që ju pengon për të arritur objektivin.
Në rast se ju nuk merreni me njëri tjetrin, se dibranët njihen se ja hyjnë njëri-tjetrit, jam i bindur që ne në zgjedhjet e ardhshme duhet të konfirmojmë kreun e bashkisë, që ju e keni pritur shumë mirë”, u shpreh Rama.