Ndonëse me vonesë, kryeministri Edi Rama duket se e ka mbajtur premtimin e dhënë për lëshimin e dy satelitëve shqiptarë në hapësirë.
Më herët, qeveria shqiptare nënshkroi kontratë me kompaninë amerikane “Satelogic” me vlerë 6 milionë dollarë për dy satelitë të pajisur me kamera dhe sensorë që do të monitorojnë territorin e Shqipërisë nga hapësira.
Rama thotë se satelitët janë gati për t’u lëshuar nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, teksa shpërndan edhe fotografitë e tyre.
“GATI PËR T’U LËSHUAR në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2; Satelitët e ALBANIA 1 dhe ALBANIA 2
Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”, shkruan kryeministri Rama.