Politikanët shqiptarë, mund të kenë qenë ndër të parët në Europë, që i uruan publikisht fitoren e mandatit të dytë, presidentit francez Emanuel Macron.
Qendrat e votimit në Francë u mbyllën në orën 7 dhe në disa qytete të mëdha si Parisi, në orën 8 të mbrëmjes. Për hir të një sistemi projeksioni i cili pothuajse nuk gabon kurrë, francezët dhe bota e mësojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, vetëm disa minuta pasi mbyllet procesi i votimit.
Ndaj, në orën 9 të mbrëmjes, francezët nisën të festojnë fitoren e Macron, i cili u konfirmua president me 58% të votave. Pak minuta më vonë, Marine Le Pen pranoi humbjen dhe uroi fituesin, duke shtuar se nuk do të hiqte dorë nga beteja e saj nacionaliste. Urimin e parë me telefon, presidenti francez e mori nga kancelari gjerman, Olaf Sholc.
Në orën 10 të mbrëmjes, Edi Rama publikoi në Twitter një portret të stërmadh të Emanuel Macron të projektuar në murin e jashtëm të Akademisë së Arteve. Urimi i Ramës ishte i dyfishtë: ai gjithashtu shprehte dëshirën se mandati i dytë do të shoqërohej me një vizitë të Macron në Tiranë, e cila do të shënonte për herë të parë në histori ardhjen e një presidenti të Francës në Shqipëri.
Pas Ramës, Ilir Meta, Sali Berisha e të gjithë me rradhë uruan me fotografi rizgjedhjen e Macronit në Elysse. (Në fakt, i pari nga tanët Macronin e uroi Taulant Balla). Nuk mund të mos bëjnë përshtypje tre gjëra. E para, shpejtësia dhe saktësia e rezultatit të balotazhit në një vend me 67 milionë banorë. E dyta, qëndrimi i rivalëve në garë. Macron tha se do të jetë presidenti i të gjithëve, ndërkohë që rivalja e tij, menjëherë i uroi fitoren. E treta, politikanët shqiptarë në unison që i urojnë fitoren një politikani të huaj.
E nisim nga e fundit. Politika shqiptare nuk e ka për zakon të urojë fitoren e dikujt në zgjedhje. Domethënë, për fituesit jashtë kufijve kjo ndodh rëndom. Por, brenda në Shqipëri, kur përballen me njëri-tjetrin në zgjedhje lokale apo të përgjithshme, politikanët tanë shndërrohen në nopranë të pashërueshëm që nuk e njohin asesi humbjen.
Kur ka qenë hera e fundit që Basha ka uruar Ramën, Rama Berishën apo Berisha Metën? Nga pikëpamja e procesit politik elektoral, diçka ka ndryshuar në Shqipëri. Rezultati ka nisur të dalë më herët. Dikur prisnim ditë të tëra numërimin e votave për të mësuar rezultatin. Komisionerë të pangrënë, numërues të pagjumë në një proces torturë votë pas vote e fletë pas flete. Në një vend me 2 milionë banorë. Tashmë kjo duket se ka ndryshuar për mirë.
Por, kultura demokratike e pranimit të disfatës është e njëjtë dhe në këtë pikë nuk ka asnjë përmirësim. Politikanët tanë refuzojnë dhe nuk duan ta pranojnë humbjen. Ata as e mendojnë ta urojnë kundërshtarin për fitoren. Kjo nuk ndodh sepse ata janë të pandërgjegjshëm. Kjo ndodh sepse duke pranuar humbjen, atyre u duhet të marrin përgjegjësitë për të dhe ndihen të detyruar të largohen nga karrigia. Po kush e lë karrigen e kryetarit të partisë lehtë në këtë vend?
Pothuajse në të gjitha proceset zgjedhore që nga viti 1991, partia humbëse akuzon pushtetin se i ka vjedhur votat. Madje ka patur raste absurde, kur, partia në pushtet ka humbur dhe ka akuzuar opozitën se i ka manipuluar zgjedhjet.
Ndaj, “europianizmi” që tregojnë politikanët tanë duke uruar Emanuel Macronin dhe të ngjashmit e tij ende pa u shpallur rezultati zyrtar i zgjedhjeve, është qesharak dhe si përgjithësisht çdo gjë në sjelljen e tyre politike, fals.