Kryeministri Edi Rama është takuar mëngjesin e sotëm me presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan. Ditën e sotme kreu i qeverisë shqiptare ka marrë pjesë në konferencën e madhe të investitorëve të besimit mysliman në Stamboll. Gjatë fjalës së tij kryeministri theksoi se koha për të shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti do të jetë e gjatë.
“Nuk do të harrojmë ndihmën e dhënë për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë, dhe kurrë nuk do të harrojmë premtimin se do të jeni aty për ne. Tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë na përballi me pasoja tragjike, përpara jush qëndroj për të kërkuar ndihmë. Mijëra njerëz u solidarizuan për fqinjët e pastrehë. Të rinj e të reja kanë lënë punën për ti ardhur në ndihmë familjeve të prekura, jam falenderues ndaj tyre”, tha Rama.
Ndërkohë, pas tërmetit të 26 nëntorit, Presidenti turk deklaroi se do t’i ofronte ndihmë Shqipërisë për rimëkëmbjen nga tërmeti. Ai premtoi ndërtimin e 500 banesave për familjet, të cilave iu prishën shtëpitë nga tërmeti.