Pas deklaratës së fortë të bërë sot nga ish-kryeministri Sali Berisha, ku nga foltorja e Kuvendit tha se nëse maxhoranca nuk voton ‘Vetingun në Politikë’, do të përballen me “djemtë që do rrëmbejnë armët” në rrugët e Shqipërisë, ka reaguar Edi Rama.
Kryeministri i vendit i është përgjigjur me ironi Berishës, përmes një postimi të bërë në Twitter.
“Për vezët e për glasat e kotecit të Saliut unë rroj 1 mijë vjet, po më vjen të qaj për shthurrjen verbale, që ai dhe kakërdhitë e tij u kanë ngjitur plot të rinjve dhe të ulëras për Shqipërinë, që turpërohet ekraneve të Europës me pamjet e parlamentit të kthyer në një shoë pularie”, shkruan kreu i vendit.
Deklarata e ish-Kryeministrit Sali Berisha u bë dy herë, duke folur në seancën e sotme parlamentare, ku po diskutohej vetingu në politikë, për të cilin kërkoi që të votohet.
“Palo burra, palo kriminelë, pse nuk pranoni amendamentin? Pranoni dhe të ulemi mes nesh të marrim dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe ta bëjmë model për mbarë rajonin, por ju nuk e donin. Ose miratoni amendamentin ose përndryshe në rrugët e qytetit do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri. Do zvarriteni rrugëve dhe do zvarriteni si minj”, deklaroi Berisha