“Rama po mashtron studentët”, Vokshi: Për rrugën Thuman-Kashar nuk është parashikuar asnjë qindarkë!

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pas vendimit të qeverisë për anulimimin e konçesionit për rrugën Thumanë- Kashar, me pretendimin se fondi do t’i shkojë universiteteve.

Deputetja e PD Albana Vokshi u shpreh se “Edi Rama u tall edhe sot në mënyrë të paturpshme me studentët, duke thelluar më tej përçmimin dhe hakmarrjen ndaj kujtdo që ngre zërin kundër qeverisë së tij hajdute. Studentët nuk përfitojnë asnjë qindarkë nga pazari dhe hilet e Edi Ramës me koncesionin Thumanë – Kashar.”

Kryetarja e Komisionit të Arsimit në PD, Albana Vokshi, publikoi faktet:

“Kryeministri i ka gënjyer studentët, sepse për Thumanë – Kashar këtë vit në buxhetin e shtetit nuk është parashikuar asnjë qindarkë. Është për të ardhur keq, sesi Ministrja e Ekonomisë, edhe pse vetë është nënë, pranon me gjakftohtësi të mashtrojë studentët, duke u bërë vegël e bindur e Edi Ramës kundër tyre.

Për t’i sjellë në vëmendje publikut dhe medias: Buxheti i vitit 2019 do të paguajë rreth 105 milionë euro për koncesionet dhe PPP-të e oligarkëve të Edi Ramës.

Për të financuar kërkesat e studentëve, me një faturë rreth 16 milionë euro, mjafton që Edi Rama:

Të anullojë koncesionin korruptiv të inceneratorëve për të cilin i paguan njeriut të Arben Ahmetajt 18 milion euro në vit, ose të anullojë koncesionet korruptive në shëndetësi, për të cilat shqiptarët u paguajnë miqve dhe klientëve të Edi Ramës 33 milionë euro në vit, por nuk marrin shërbim.

Për plotësimin e kërkesave të studentëve jo me mashtrime, por me akte konkrete, mjafton që Edi Rama të anullojë 27 milionë eurot që i paguan klientëve të tij Kastrati e Salillari për koncesionin e pavlerë të Rrugës së Kombit apo klientit tjetër Gjoka Konstruksion për koncesionin korruptiv të Rrugës së Arbrit.

Të dashur studentë!

Edi Rama vazhdon t’ju mashtrojë me të ashtuquajturin “Pakti për Universitetet”, i cili nuk përmbush kërkesat e studentëve.

Studentët e dinë fare mirë se arsimi me Edi Ramën kryeministër nuk ka të ardhme!

Alternativa e Partisë Demokratike është zgjidhja reale, pa propagandë dhe shumë konkrete me problemet të arsimit të lartë!

Partia Demokratike garanton se me të marrë drejtimin e qeverisjes së vendit, do të anullojë çdo koncesion korruptiv që çon paratë e shqiptarëve në xhepa oligarkësh; ne do të dyfishojmë buxhetin për arsimin, duke synuar tejkalimin e buxhetit prej 5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto;  do të shfuqizojmë ligjin për Arsimin e Lartë!

Arsimi është prioriteti numër një për Partinë Demokratike dhe ne kemi vullnetin për ta zhvilluar atë!”

Zjarr Tv Ad