Kryeministri Edi Rama sulmoi Partinë Demokratike gjatë fjalës së tij në kuvend. Rama iu drejtua demokrateve duke thënë se ata i kanë përdorur viktimat e Kosovës vetëm për interesa politike dhe në rastet kur kanë pasur krizat e tyre të brendshme më të mëdha.
Është sa e thjeshtë aq edhe e neveritshme pse e bëni këtë ju! Për të njëjtën arsye që u kujtuat për gjenocidin në Srebrenicë, kujtoheni për gjenocidin në Kosovë dhe po shikosh të gjithë historinë e deklaratave dhe rezolutave, shikon dhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh, mes asaj që quhej Partia Demokratike e Shqipërisë dhe tani nuk e di si quhet dhe ne që quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Sa herë ka patur një krizë që ju është dashur ta kapërceni, keni futur mes viktimat e Kosovës.Sa herë ju është dashur të nxirrini nga axhenda probleme të caktuara, merrini e shikojeni, ju e dini më mirë historinë e partisë suaj, edhe në opozitë dhe në qeveri dhe merrni e shikoni se si përkojnë me rezolutat dhe me deklaratat për Kosovën kjo histori, pa lidhje fare!
Akuzave të PD pse mazhoranca nuk merr iniciative në Kuvend për të hartuar një rezolute që e konsideron Srebrenicen, genocid, Kryeministri Rama iu përgjigj me të tjera akuza ndaj selisë blu.
Zgjoheni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën?! S’keni lidhje fare ju me Srebrenicën! Ju jeni gati t’i rizhvarrosni edhe një herë, dhe t’i rifusni nga e para në varrin masiv ata atje, për t’i thënë kujt të mundeni që socialistët nuk duan. Ju jeni gati ta bëni lëmsh edhe një herë nga e para politikën ndërkombëtare të Shqipërisë për të ardhur këtu dhe për të shitur këto dënglat që dëgjua. Cilin gjenocid doni ju të aprovojë Parlamenti i Shqipërisë meqë thoni keni frikë. E keni harruar ju? Unë se kam harruar për vete, ne nuk e harrojmë që ai shtet i lirë dhe sovran, demokratik është krijuar nga ata, pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë, nuk duhet të bëjnë asnjë hap, asnjë hap. Nëqoftëse ju dhe ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjini.
Po për sa kohë do të jemi ne që qeverisim këtë vend, ne nuk do të t’i bëjmë. Sepse përpara sa të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet midis foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë, se nuk mund të bëhemi ne si foltorja dhe si gojorja në sy të botës dhe në sy të asaj bashkësie demokratike pa të cilën nuk do të kishte Kosovë fare, as të pavarur, as demokratike, as autonome. Këta jeni ju!U miratua rezoluta për Srebrencën apo nuk u miratua? U miratua, por kur u miratua? U miratua atëherë kur ishte planifikuar të miratohej, në ditën e Srebrencës, jo në ditën e foltores dhe të gojores. S’keni ç’i bëni gomarit mbrapa këtu dhe vini t’i bini samarit dhe për samar doni të përdorni Kosovën.
Më pas rama u ndal tek tema e ditës, rezuluta e PS kundër raportit të Dick Martyt. Edhe në këtë rast ai e akuzoi PD se zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës .
Dick Marty ia keni hapur rrugën ju. Po kështu, hajdeni këtu dhe thoni se çfarë mendoni për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg?Këto shikoni ju sepse thikat që ju keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK si terrorist, e si marksist-leninist, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotet e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet!