Rama sulmon sërish prokurorin e Durrësit, Ndoja: Tani nuk kemi çfarë ti bëjmë, por…

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Edi Rama, edhe ditën e sotme gjatë një aktiviteti për ‘Platformën e bashkëqeverisjes’ ka sulmuar prokurorin e Durrësit, Arian Ndoja, në vazhdim të furisë qeveritare që nisi nga ai vetë në parlament dhe u intensifikua në mënyrë direkte, nga zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Gjithçka nisi pas arrestimit të kreut të hipotekës në Durrës, i akuzuar për abuzime të rënda me pronat në Gjirin e Lalzit.

Rama sot ju është përgjigjur ‘larg e larg’, edhe pyetjeve të Partisë Demokratike; se përse Rama nuk tregon se cilës bandë kriminale i shërben prokurori Ndoja dhe nëse kryeministri e ka të faktuar këtë, përse atëherë nuk e arrestojnë?!

Por sipas deklaratës së sotme të Ramës, qeveria nuk ndërhyn dot sepse ‘Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi’. Gjithsesi Rama ka premtuar ndëshkim për prokurorin të cilit faktikisht nuk ‘ka guxuar’ as që ti përmend emrin, gjë që ja ka lënë detyrë Erion Braçes.

‘Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon.

Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë.

Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë’, tha Rama.

Më herët për këtë çështje, përmes një deklarate për mediet nga selia blu, ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj theksoi se Kryeministri Edi Rama duhet të tregojë bandat që u shërben Prokurori Ndoja dhe në vend që ti bëjë presion drejtësisë të arrestojë të dyja palët.

‘Është urgjente që Edi Rama të përgjigjet për disa pyetje që sot ia bën çdo shqiptar. Cilës bande të Durrësit i shërben prokurori Arjan Ndoja? Prej sa kohësh Edi Rama është në dijeni të faktit që Arjan Ndoja punon për bandat dhe jo për shtetin?

Pse heshtën Edi Rama dhe Erjon Braçe deri më sot dhe nuk dolën përpara se të arrestohej njeriu i tyre në Kadastrën e Durrësit? Pse nuk e arreston prokurorin që i shërben bandës dhe bandën që mbështet prokurorin?’, theksoi ish deputeti Alibeaj në reagim të qëndrimit të Zv. kryeministrit Braçe.

‘Këtyre pyetjeve Edi Rama duhet t’u japë përgjigje menjëherë. Pjesëmarrja e paprecedente e një zëvendëskryeministri në një seance gjyqësore dhe shantazhi publik nuk i shërben as ligjit, as të vërtetës, as drejtësisë’, akuzoi gjithashtu Alibeaj.

Zjarr Tv Ad