Kryeministri Rama, e ka nisur mëngjesin e sotëm, me një telefonatë me kandidatin për deputet të PS-së në qarkun e Dibrës Dionis Imeraj, i cili la pozicionin e kryetarit të Bashkisë për të kandiduar në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama e pyeti Imerajn për mënyrën sesi po zhvillohet fushata në terren dhe pa dyshim dhe për kundërshtarët, ku PD në këtë qark përfaqësohet nga Xhelal Mziu, të cilin Rama e quajti me nofkën azilant.
Biseda e plotë
Rama: Dionis ça bohet, të përshëndes nga Saranda, si dukesh?
Imeraj: Mirë mirë, aty duhet të jetë në ngrohtë sesa këtu
Rama: Jo mo jo, fryn një erë e çuditshme, po hajt mirë buzë detit. Çfarë thotë Dibra?
Imeraj: Po mirë mirë. Populli i kënaqur.
Rama: Lërini mo këto populli i kënaqur. A po i takoni njerëzit një e nga një?
Imeraj: Njerezit po i takojmë një nga një, kudo në çdo fshat qytet, kudo, jemi shpërndarë të gjithë kandidatët aty ku janë njerëzit, mirë deri tani.
Rama: Ai azilanti i Kamzës ça bën ai, apo vatër kovidi ai?
Imeraj: Ai bën xhiro më duket se nuk ka bërë as vaksinën ai infekton njerzit nëpër klube. Ai infekton ne shërojmë çfarë do bëjmë. Edhe Mati edhe Bulqiza mirë janë, kam besim që do e mbyllim shumë mirë.
Rama: Po kjo partia kontrollorëve ajror?
Imeraj: Kjo, ah nuk është asgjëkundi, asgjëkundi. Dalin nëpër terren por nuk kanë potencial, pothuajse ka humbur fare.
Rama: Porosit dhe të tjerët, që me njerëzit duhet shumë komunikim kudo, duhen pranuar mevetëdije gjërat që nuk shkojnë. Pakënaqësitë janë legjitime njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ne kemi bërë sa kemi mundur dhe jo sa kemi dashur. Po të mundnim më shumë nuk do e kishim lënë pa bërë.
Fokusin e kemi, durimin e kemi, edhe karakterin padiskutim duhet të fokusohemi tek njerëzit. Rruga e Arbrit do të realizohet brenda këtij viti padiskutim, dhe do Zoti dhe në një kohë para afatit, do ndryshojnë shumë gjëra. Dakord?
Imeraj: Shumë dakord kryetar!
Rama: Krashin si e kam Krashin, emigrantin me frymë laburiste? (hahaha, qeshin të dy)
Imeraj: Shumë mirë dhe ai në fushatë
Rama: Mi bëj shumë të fala të gjithëve dhe Aurorës, unë do vij atje në datën 13, të përshëndes
Imeraj: Mirëardhsh kryetar!