Rama, Thaçi, Vuçiç, Putin urojnë Erdogan për zgjedhjet

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama, presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë uruar kreun e shtetit turk, Rexhep Taip Erdogan për fitoren e tij në zgjedhjet lokale të së dielës. Edhe pse disa rezultate pritet të kontestohen, partia e presidentit Erdogan fitoi shumicën e mbështetjes në popull, por qytetet më të mëdha ranë në kontrollin e opozitës. Zgjedhjet u panë si referendum kundër presidentit turk dhe politikave të tij për t’i bërë ballë krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin prej muajsh.

Partia e presidentit Rexhep Taip Erdogan ende vijon të përballet me disfatën që përjetoi në qendrat më të mëdha urbane të vendit në zgjedhjet lokale të së dielës.

Por liderë të ndryshëm të botës nuk kanë ngurruar të shohin anën tjetër të medaljes, dhe pikërisht rezultatin e përgjithshëm kombëtar, ku partia qeverisëse “Drejtësi dhe Zhvillim” vijon të mbetet në krye me rreth 45 për qind të mbështetjes në popull, plot 15 për qind më shumë se opozitarët kryesorë republikanë.

Shumë personalitete të Ballkanit me raporte të afërta me udhëheqësin e Turqisë, si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i shtetit serb Aleksandër Vuçiç, ai rus, Vladimir Putin, dhe presidentët e Iranit e Pakistanit uruan të hënën presidentin turk për suksesin e tij të radhës.

Ndërkaq, Këshilli Europian shprehu kritika nëpërmjet misionit të saj në Turqi, duke shfaqur rezerva rreth klimës në të cilin u zhvillua fushata zgjedhore, dhe shtypjen e mendimit opozitar përmes instrumenteve të shtetit.

Edhe pse disa kuti votimi pritet t’i nënshtrohen apelit, rezultatet paraprake tregojnë se partitë opozitare tashmë kanë fituar kontrollin mbi kryeqytetin, Ankaranë, qytetin më të madh të vendit, Stambollin, dhe qytetin portual të Izmirit.

Procesi zgjedhor i 31 marsit është komentuar nga shumëkush si një referendum për mënyrën sesi presidenti Erdogan, pas 16 vjetësh në pushtet, po i bën ballë krizës ekonomike dhe recesionit që prej muajit mars po prek të 81 milionë banorët e vendit.

 

Zjarr Tv Ad