Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje emigrantëve që të rikthehen dhe të investojnë në vend në agro-turizëm. I pranishëm në Burrel, në një takim me të rinjtë, Rama tha se do t’i jepen 5 mijë euro çdo emigranti që kthehet në vend dhe kthen në bujtinë shtëpinë e vjetër të gjyshit, apo prindërve.
Po ashtu, kryeministri shtoi se do të bëjë edhe një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, mjafton që ato të mos jenë para krimi, në mënyrë që ata të investojnë dhe të marrin fitime që, për Ramën, do të jenë më të larta se sa ata marrin duke punuar për të tjerë në emigracion.
“Ne do i japim 5 mijë euro çdo djali, çdo vajze, çdo burri dhe gruaje që janë në emigracion dhe që duan të hapin shtëpinë e vjetër të gjyshit, të babës, për ta kthyer në një bujtinë, për të ndërtuar një agro-turizëm me produktet e zonës dhe për të fituar çdo muaj më shumë se sa fitojnë me punë për dikë tjetër atje në emigracion. Do i bëjmë një amnisti fiskale direkte për kursimet e tyre, pa i kërkuar llogari se nëse i kanë mbajtur në bankë apo poshtë jastëkut, mjafton mos jenë para krimi dhe të hidhen këtu. Italia rurale është e tëra e mbushur me iniciativat e njerëzve të zakonshëm që e kanë kthyer tokë, shtëpinë e tyre në burim të ardhurash të vazhdueshme dhe kjo është e mundur”, tha Rama.