Çmimi i naftës pritet të ketë rritje!
Kështu tha për Euronews Albania ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Ministrja nënvizoi nga Bilishti se kjo rritje do të vazhdojë edhe për 6 muaj të tjerë.
“Çmimet e bursës dhe nënproduktet ka muaj që janë në rritje. Ka që në 2020 që ka nisur një rritje do të vazhdojë për 6 muaj të tjerë. Detyrimisht do ketë rritje të çmimit të naftës”, u shpreh ajo.
Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur së fundmi, duke kapur vlerën 194 lekë për litër. Për qytetarët ky çmim është i papërballueshëm. Por teksa qytetarët ankohen për rritjen e çmimeve, sidomos të karburanteve, kryeministri vazhdon ‘punën’ e tij, duke u zënë online me ta.
Ai ka replikuar me një qytetar përmes një postimi në Facebook pasi donte të dinte arsyen përse qeveria duhet të vendosë një çmim të lartë ndërsa Shqipëria është vendi më i varfër në rajon. Në përgjigjen e tij, Rama i tha se rritja e çmimit të naftës nuk është problem vetëm i Shqipërisë, me një arrogancë prej Spiropali.
“Rritja e çmimeve është një problem i përgjithshëm sot, mjafton të shihni Kosovën për të mos shkuar me larg, ndërkohë që siç kam premtuar ne po mbajmë më shumë kosto për buxhetin, mburojën mbi çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë e biznesin e vogël, që kudo ka kërcyer e po kërcen lart! Sa për rrogat ato janë rritur e do vazhdojnë të rriten, por rritja e rrogave nuk bëhet sipas dëshirës sonë, pasi unë i pari do doja t’i rrisja menjëherë të gjitha, por çdo rritje jashtë mundësive, do të thotë falimentim total në pak muaj si në kohën e Sudës, prandaj duhet punë e durim, për t’u ngjitur me këmbë në tokë s’ka asnjë rrugë tjetër të sigurtë”\Syri