“Shqipëria ka hapur një kapitull të ri si shtet. Sot kemi kaluar sprovën historike si vend e si popull” . Me këto fjalë e ka nisur konferencën për mediat kryeministri Edi Rama, pas rekomandimit të KE-së për hapjen e negociatave. Duke mos i fshehur emocionet, Kryeminsitri tha se ndjehet krenar për këtë provim të vështirë, që i jep Shqipërisë një staturë të re ne arenën ndërkomëbtare në 30 vjet përpjekje rëniesh e ringritjesh.
“Jemi rekomanduar si shtet që ulet në tryezën e negociatave për të hyrë në BE. Jam i emocionuar dhe krenar që ia dolëm këtij provimi të stër vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkomëbtare dhe dolëm nga një udhëkryq mes së shkuarës e së ardhmes.
Rruga e udhëkryqit ku ndodheshim deri më sot sado e vështirë është e hapur para nesh, stacioni i radhës është anëtarësimi dhe shpejtësia e mbërritjes varet nga ne të gjithë ne. Shqipëria sot ka marrë vlerësimin më të madh të një 30 vjeçari përpjekjesh rëniesh e ringritjesh.
Respekt për të gjithë ata që dhanë një dorë, për të ndërtuar një pjesë të ardhmërisë shqiptare atë të Bashkimit Evropian”.
Për kreun e qeverisë rekomandimi nuk është një dhuratë e Brukselit, por njohje e meritave për të bërë shtet. Ai rendit dy arritje të mëdha histoirke që sipas tij kanë të bëjnë me vitin e parë të mandatit të parë dhe vitin e parë të mandatit të dytë.
“Ia kemi dalë që në 4 vjet ta kthejmë besimin e popullit te ne në dy arritje të mëdha të një rëndësie të madhe historike. Në vitin e parë të mandatin tonë e bëmë kandidat për në BE. Në vitin e parë të mandatit të dytë çelëm negociatat për anëtarësim në BE
Këto nuk janë dhurata as gjeste bujarie të KE ndaj Shqipërisë, Evropa e Bashkuar nuk bën dhurata dhe Brukseli sheh dhe njeh vetëm meritat. Rekomandimi është njohja e meritave tona, në fushën për të bërë shtet”- theksoi Rama.
Për kryeministrin Rama reforma në drejtësi dhe pastrimi is sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit është prova që sapo nisi.
“Futja në një fazë më të re të reformave dhe përshkallëzimi i luftës kundër krimit e korrupsionit. Shëmbulli më kuptimplotë për të gjithë për të bërë dallimin mes fazës që sapo është mbyllur dhe asaj që ka nisur është reforma në drejtësi.
Nëse deri më sot duhet të ligjëronim vetingun dhe të jepnim provat e para, vitet që kemi më përpara duhet të provojnë pa ekuivok fuqinë ndëshkuese të pastrimit të sistemit të drejtësisë. Gjykatësit e prokurorët e korruptuar që përjashtohen nga sistemi”.
Periudha e negociatave do të jetë një periudhë e ngarkuar me sfida, tha kryeministri, ndërsa ftoi opozitën për këtë sfidë kombëtare që të mos ngatërrojë përplasjet e brendshme.
“Do të jetë një periudhë e ngarkuar me sfida dhe ngarkesa të mëdha nga të gjithë. Po sigurisht në radhë të parë nga qeveria. Dora jonë është e shtrirë sot ndaj opozitës dhe e ftoj opozitën dhe kryetarin e saj që të mos ngatërrojmë përplasjet për gjithçka na ndan së brendshmi për këtë sfidë kombëtare që kërkon kur flasim me gjuhë të gjuaj mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin”.
Në fund të fjalës së tij Rama theksoi se sot ka fituar atdheu dhe të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
“Sot ka fituar atdheu ynë i paragjykuar e përgojuar prej shumë vitesh me gjysma të vërteta. Sot kanë fituar shqiptarët pa dallim kufiri në atdhe e migracion. Sot është shtiza e flamurit kuq e zi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Siç ja dolëm në këto dy sprova, duke kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme, do t’ia dalim dhe në të tretën, më të vështirën. Ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Skënderbeut, Rilindasve e të gjithë martirëve”.