Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot ne lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që ngrinte një sërë problemesh për vendin tonë, sidomos ai i drogës.
Luan Rama, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, kërkoi sot para mediave që Shqipëria të mos bëjë më spektakle me transmetimet televizive të policëve që çohen për të kapur kanabis
FJALA E LUAN RAMËS PARA MEDIAVE:
Siç keni bërë të ditur edhe ju përmes publikimit të raportit të DASH, ky raport konfirmon edhe njëherë faktin e rëndë që Shqipëria vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i marijuanës dhe një rrugë tranzit për kokainën dhe heroinës.
Ky konstatim shqetësues kërkon një reagim të përgjegjshëm të gjithë agjencive që kanë për detyrë luftën kundër drogës dhe një reagim të përgjegjshëm të të gjitha institucioneve shtetërore.
LSI në vazhdimësi dhe në vijimësi ka qenë e vendosur për reagimin ndaj çdo kujt që rezulton i lidhur me kultivimin apo trafikimin e drogës. E rëndësishme për vendin që Shqipëria të mos bëjë më spektakle me transmetimet televizive të policëve që çohen për të kapur kanabis.
“Situata e kultivimit të lëndëve narkotike në Shqipëri, dramatike. LSI ka apeluar për rëndësinë që merr lufta e vendosur kundër trafikuesve të drogës. I bëj thirrje institucioneve të reagojnë me përgjegjshmëri, pa demagogji. Më e pakta ka munguar reagimi i duhur nga ana e institucioneve. Në këto kushte alarmi duhet të japim një reagim konkret”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama.
Nga selia e LSI, Luan Rama rikonfirmoi se ndryshimet në qeveri nuk janë kërkuar nga forca e tij politike. “LSI nuk ka bërë asnjë kërkesë. Është një e drejtë Kushtetuese e kryeministrit, ne e respektojmë”, u shpreh Luan Rama.