Raporti për përgjimet/ Dosje sekrete janë mbajtur nga zyrtarë pa certifikata sigurie

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Publikimi i përgjimeve nga dosjet e bujshme përfshirë edhe atë që njihet si “339”, duket se ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm brenda Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjatë dy viteve të fundit.

Në një raport vjetor që drejtuesja aktuale e prokurorisë Donika Prela i ka paraqitur kryeprokurores Arta Marku evidentohen udhëzimet e shumta të nxjerra dhe kontrollet e verifikimet e kryera brenda institucionit me qëllim mbajtjen sekret të përgjimeve të realizuara gjatë hetimit të çështjeve penale.

Titullarja e krimeve të rënda thekson në raport se gjatë këtyre kontrolleve ka konstatuar mangësi në mbajtjen e dokumentacionit nga prokurorët e çështjeve.

Në një udhëzim me numër 4 të datës 26 tetor 2018 “Për përgjimet”, është kërkuar nga Prokurorët ruajtja sekret e të dhënave nga përgjimet si dhe pasqyrimi i të dhënave në regjistrin e përgjimeve. Sipas Donika Prelës, janë gjetur mangësi nga prokurorët në lidhje me pasqyrimin e të dhënave në regjistrin e përgjimeve, shkruan Ora News.

Punonjësi i ngarkuar me ruajtjen e të dhënave ka raportuar se prokurorët nuk pasqyrojnë në regjistër shënimet përkatëse për rastet e përgjimeve.

Sipas raportit, gjatë viteve 2018-2019 është bërë verifikimi i kushteve të ruajtjes së informacionit, ku rezulton se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mbahet një regjistër për hyrjen dhe daljen e materialeve sekrete.

Këto materiale ruhen dhe administrohen në kasafortë konform rregullave, por drejtuesja e krimeve të rënda ka ngritur shqetësimin se të dhënat sekrete janë mbajtur nga oficerë e prokurorë që nuk kanë pasur certifikatë sigurie.

Kryeprokurorja e krimeve të rënda bën me dije në raport se nga kontrollet ka rezultuar se disa nga prokurorët e oficerët e këtyre çështjeve kishin certifikate sigurie, ndërsa një pjese të tyre u kishte mbaruar afati i certifikatës.

Sipas raportit, gjatë vitit 2018 janë përgjuar gjithsej 2146 numra telefonikë, nga 2415 numra të përgjuar në vitin paraardhës 2017.

 

Zjarr Tv Ad