Raporti për Shqipërinë, pluralizmi mediatik në rrezik: Trysni nga partitë politike

0
7

Presioni politik në Shqipëri po krijon medie më pak të pavarura dhe po tenton të ndryshojë vijën e tyre redaksionale për të anuar më shumë drejt pushtetit. Raporti i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike tregon se ka një përkeqësim të situatës në vend.

Pluralizmi mediatik në Shqipëri është në rrezik të lartë për shkak të interesave ekonomikë dhe presionit politik që po i shtyn gazetarët gjithnjë e më shumë drejt vetëcensurimit.

Një raport i titulluar “Monitorimi i Pluralizmit Mediatik 2020”, me fokus sistemin dhe lirinë e medieve në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian, vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.

Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në medie jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet.

Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet e internetit, rreziku rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale.

Autonomia redaksionale, ndërkohë, vlerësohet me 88 për qind, në rrezik thuajse të plotë.

Për shkak të mungesës së dispozitave për ligjin e medieve audiovizive në emërimin e kryeredaktorëve, studiuesit raportojnë raste të mëparshme ku sërish trysnia politika ka ndikuar për largimin e tyre nga puna.

“Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksioneve Publike pengon anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe të parlamentit që të mbajnë aksione në kompani përfshirë ato mediatike, ndërsa për kryebashkiakët, dispozitat kufizohen vetëm te kompanitë që operojnë në territorin e bashkive të tyre. Por nuk ka dispozita specifike që ndalojnë politikanët, palët partiake apo partitë politike që të zotërojnë mediet,” shton Qendra për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, e bashkëfinancuar nga BE-ja.

Raporti nënvizon perceptimin për partishmëri në emërimin e bordit të Autoritetit të Medieve Audiovizeve dhe nuk lë pa përmendur as kritikat e komunitetit të gazetarëve për Ligjin Antishpifje të miratuar nga parlamenti dhjetorin e kaluar.

Për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediet shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut mediatik klasifikohet tepër i lartë në 80%, ndërsa me rrezik të lartë shihet edhe aspekti social, përkatësisht korniza e dobët ligjore për trajtimin e çështjeve të minoritetit, personat me aftësitë ndryshe dhe aksesin e grave në medie.

Këtë vit Shqipëria ra me dy vende të tjera në Indeksin e Lirisë së Medies në botë edhe në raportin e Reporterëve pa Kufij, duke u renditur e 84-ta mes 184 vendeve për problematikat si ligji për mediet online, kufizimin e informacionit, arrestimin e gazetarëve dhe mbylljen e medieve kritike me qeverinë.