Ndërkohë që maturantët bëjnë përllogaritjet e tyre për të zgjedhur dhjetë degët që preferojnë e mendojnë se mund t’i kapin me rezultatet e akumuluara, portali që ndërmjetëson me universitetet “U-Albania” vjen në ndihmë.
Në faqen e saj është bërë publike një video që tregon hap pas hapi aplikimin me Formularin A2, të cilin e plotësojnë çdo vit mbi 20 mijë maturantë. Ajo që sugjerohet çdo vit nga ekspertë të arsimit është që përpara se të rinjtë ta plotësojnë atë, për të bërë zgjedhje të zgjuara, duhet të pikasin profile ose degë studimi ku dëshira përputhet me pikët që kanë. Pra, ajo që thuhet rëndom si meritokraci. Gjatë kësaj kohe, secili mund të bëjë kalkulimet e pikëve që posedon bazuar në formulat e pranimit në degët e lakmuara dhe t’i krahasojë me ato të fituesit të fundit të një viti më parë. Ndonëse kërkesë-oferta nuk është e njëjtë çdo vit, sërish ato mbeten orientuese dhe këshilluese të mira në prag aplikimesh, qoftë në raundin e parë, të dytin apo të tretin.
FORMULARI A2
Pas nëntë ditësh, në 29 korrik deri në 3 gusht, maturantët që e kanë vendosur për të aplikuar në një nga universitetet publike apo private, duhet të kenë menduar dhjetë degët e preferuara për t’i listuar në formular (renditja nuk ka aspak rëndësi). Një kutizë e kaltër në të cilën shkruhet “Aplikimi A2/A3” është ura lidhëse që fton të rinjtë sapo hap “U-Albania”. Për t’u loguar, secili duhet të klikojë në ikonën e maturantit, në të cilën kërkohet ID e maturës dhe numri personal i letërnjoftimit.
Veprimi i parë që kryhet është shkarkimi i faturës, në të cilën gjendet kodi i aplikimit, shumë i rëndësishëm për të konfirmuar përzgjedhjet më pas. Secili ka mundësi të zgjedhë deri në dhjetë preferenca, fillimisht universiteti e më pas programi i studimit. Pasi të jeni siguruar për saktësinë e tyre, duhet të konfirmohet përmes vendosjes së kodit të aplikimit që gjendet në pjesën e poshtme të faturës së pagesës prej 2 mijë lekësh. Në këtë moment, kushdo mund të shkarkojë një kopje të fletës së aplikimit që është konfirmuar tashmë. Në datën 5 gusht, universitetet shkarkojnë të dhënat dhe ata që janë me konkurse i zhvillojnë ndërkohë deri në fundin e muajit gusht, kur shpallin fitues mbi bazën e pikëve që ata kanë, nga ai me më shumë pikë deri tek ata me më pak, duke i ndarë me një vizë të kuqe fituesit nga humbësit.
KALENDARI
Në tabelën bashkëngjitur shkrimit është kalendari me datat e aplikimeve, regjistrimeve e ç’regjistrimeve për të tria raundet. Përveç afateve, asgjë nuk ka ndryshuar në procedurën e pranimit të konkurrentëve në universitetet publike e private. Raundi i parë me shtatë faza nis nga 2 deri në 15 shtator, i dyti me pesë të tilla zhvillohet përgjatë 3 deri në 12 tetor, ndërsa raundi i tretë me vetëm tri faza 48-orëshe do të mbahet nga 28 tetori deri në 2 nëntor.
Pas këtij afati synohet mbushja e kuotave të lira në universitete duke lënë regjistrimet në rrjedhje të lirë. Çdo i ri që nuk është regjistruar në tri fazat pararendëse, pavarësisht profileve ku ka aplikuar, mund të bëjë një kërkesë për regjistrim në sekretaritë mësimore të njësive kryesore, fakultete, në programet e studimit ku ka vende bosh. Gjithashtu, në ato degë ku janë të regjistruara shumë pak të rinj, në rast se nuk plotësohet kuota e duhur për ta mbajtur hapur si profil, të rinjtë nuk penalizohen nga studimet, por regjistrohen në një tjetër të ngjashëm brenda të njëjtit fakultet.
700 PROGRAME studimi në 40 universitete publike dhe private janë gati për t’u përzgjedhur nga të rinjtë duke nisur nga fundi i këtij muaji deri në datën 3 gusht. Kushti i përgjithshëm është mesatarja 6.5, për degët e mësuesisë 7.5, ndërsa në degë të caktuara si ato të Universitetit të Mjekësisë nevojitet një mesatare mbi 7
Mesatarja e gjimnazit, kusht për disa degë S’ka profil mjekësie me notë mesatare gjimnazi nën 7
Përpara plotësimit të Formularit A2, ish-maturantët duhet të konsultohen përveçse me formulat e pranimeve, edhe me kushtet. Nuk mjafton vetëm mesatarja 6.5 e qeverisë si prag për të konkurruar. Për disa degë specifike si mësuesia, nota mesatare është më e lartë (7.5). Nota mesatare minimale e aplikimit e miratuar nga qeveria për vitin e ri akademik 2022-2023 është 6.5, ndërsa të rinjtë që e kanë notën mesatare më të ulët kanë të drejtën të aplikojnë vetëm në programet profesionale 2-vjeçare.
Edhe pse qeveria kishte përcaktuar se nota mesatare e aplikimit do të vinte me rritje progresive vit pas viti, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të studentëve, u tërhoq. Madje për vitin e ri akademik, u miratua edhe ulja e notës mesatare për disa programe që të çojnë në ciklin e dytë drejt degëve të mësuesisë, nga 7.5 që ishte në 6.5. Nga të gjitha universitetet, vetëm Universiteti i Mjekësisë ka kriter shtesë: mesatare më të lartë aplikimi. Të drejtën e aplikimit në një nga 12 programet e këtij universiteti e kanë vetëm ajo kategori maturantësh që e kanë notën mesatare më të madhe se ajo që ka përcaktuar universiteti, e cila varion nga 7 në 8.5 në varësi të programeve.
Për tri degët kryesore Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, të drejtën të aplikojnë e kanë vetëm maturantët që e kanë notën mesatare 8.5 e lart. Për Shëndetin Publik është 8, ndërsa Higjienist dhe Teknik Dentar nota mesatare minimale e aplikimit është 7. Për të gjitha degët e Fakultetit të Infermierisë së Përgjithshme, kushti i aplikimit për maturantët është nota mesatare 7.5. Veç mesatares, studentët fitues në Universitetin e Mjekësisë 40% të pikëve i marrin nga nota mesatare e provimeve të maturës, 30% nga nota mesatare e shkollës së mesme dhe 30% nga nota mesatare e lëndëve formuese: Fizikë, Kimi dhe Biologji.
Në universitetet e tjera, përfshirë edhe Universitetin e Tiranës, kriteret variojnë në varësi të degëve të studimit, por kryesisht pikët më të shumta kandidatët i marrin nga mesatarja e shkollës së mesme, rreth 70% dhe pjesën tjetër të pikëve i fitojnë nga notat e provimeve të maturës. Përjashtim bëjnë Universiteti i Arteve dhe Sporteve, ku fituesit do të zgjidhen edhe nga pikët që marrin në konkurs.